Aplikacion
“Komisioni Evropian ka gjobitur Metën për shkeljen e rregullave antitrust të BE-së duke lidhur shërbimin me reklama për shitje Facebook Marketplace me rrjetin social personal Facebook dhe duke vendosur kushte të padrejta tregtare ndaj ofruesve të tjerë të shërbimeve të reklamave në internet”, tha Komisioni Evropian.
Meta tha se do të apelojë vendimin, por ndërkohë do të respektojë dhe do të punojë me shpejtësi dhe në mënyrë konstruktive për të gjetur një zgjidhje për t’iu përgjigjur shqetësimeve.
Lëvizja e Komisionit Evropian vjen dy vjet pasi ai akuzoi gjigantin e teknologjisë amerikane se i dha shërbimit Facebook Marketplace një avantazh të padrejtë duke i lidhur të dy platformat së bashku.
Bashkimi Evropian hapi procedurat zyrtare ndaj veprimeve të platformës Facebook që mund të binin ndesh me konkurrencën në qershor 2021 dhe në dhjetor 2022 shtroi shqetësimin se Meta e lidh rrjetin e saj social dominues Facebook me shërbimet e tij të reklamave në internet.
Facebook e hapi shërbimin Marketplace në vitin 2016 dhe e përhapi atë në disa vende evropiane një vit më vonë. Vendimi i BE-së argumenton se Meta ua imponon platformën Facebook Marketplace përdoruesve të Facebook-ut duke krijuar një “lidhje” të paligjshme, por Meta tha se ky argument injoron faktin se përdoruesit e Facebook-ut mund të zgjedhin nëse angazhohen ose jo në Marketplace dhe shumë prej tyre zgjedhin të mos ta bëjnë një gjë të tillë.
Meta tha se Komisioni pretendon se Marketplace ka potencialin të pengojë rritjen e tregjeve të mëdha ekzistuese online në BE, por shtoi se nuk ka dhënë prova se shërbimet konkurruese kanë pasur pasoja.
Kompanitë rrezikojnë gjoba deri në 10% të qarkullimit të tyre global për shkeljet e rregullave antitrust të BE-së./VOA