zoom

Sport

Bayern është gjithmonë aty, Reali bën “mbretërorin”. Do përballen në gjysmëfinale, anglezët jashtë

Bayern është gjithmonë aty, Reali bën “mbretërorin”. Do përballen në gjysmëfinale, anglezët jashtë

Bayern Munchen është kualifikuar për në gjysmëfinalen e Champions League, pasi eliminoi Arsenal. Gjermanët e drejtuar nga Tomas Tuchel fituan minimalisht 1-0 në Allianz Arena (Munich), ndërsa takimi i parë kishte përfunduar në paqe 2-2. Takimi u vulos nga Kimmich.

Katër skuadrave më të mira në Europë i është bashkuar edhe Reali që eliminoi Manchester City me penallti. Takimi i mbajtur në Angli ishte mjaft emocionues, teksa nuk mjaftuan 90 minuta, pasi koha e rregullt u mbyll 1-1 (3-3 ndeshja e parë).

Los Blancos zhbllokuan llogaritë në minutën e 12-të, me anë të sulmuesit brazilian, Rodrygo. Me avantazhin në “xhep”, madrilenët preferuan të qëndrojnë në prapavijë, duke u zhvendosur kështu në gjysmë-fushën e vet.

Kampionët e Europës rritën ndjeshëm presionin dhe iu afruan disa herë golit. Haaland apo edhe Foden, vendosën në vështirësi portierin Lunin, por pa mundur dot të barazojnë shifrat.

Edhe në fillimin e pjesës së dytë u luajt e njëjta “muzikë”, me ekipin e Guardiolës që s’kishte asgjë për të humbur. “Drithërima” në stadium në të 46-tën, një gjuajtje e Grealish u ndal nga “gardiani” i mysafirëve. Barazimi i Manchester Cityt erdhi nga De Bruyne, i cili përfitoi pasi topi nuk u largua si duhet nga Rudiger.

As koha shtesë nuk prodhoi gol, pavarësisht rasteve. Nga pika e bardhë më i saktë u tregua Real Madrid, që festoi në fund. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura