zoom

Aktualitet

Balluku sfidon SPAK-un, shfaqet në Bukuresht

Balluku sfidon SPAK-un, shfaqet në Bukuresht

Sot në orën 10:00 zëvendëskryeministrja Belinda Balluku duhet të paraqitej në SPAK, si person nën hetim për shkelje të barazisë në tenderin për tunelin e Llogarasë.

Fletë-thirrja nga SPAK asaj i shkoi të premten në ministri, ndërsa po atë ditë Balluku tregoi se nuk ndodhej në Shqipëri, kur u shfaq duke udhëtuar me tren në Zvicër për qëllime pune.

Mes komenteve në rrjet, ku disa e konsideruan këtë si një arratisje të Ballukut nga autoritetet, ajo u rikthye të shtunën në Tiranë, duke e shfaqur veten live në një inspektim në Rinas.

Në dukje si një përgjigje për zërat për arratisje dhe në pritje që ajo të paraqitej sot në SPAK, Gazment Bardhi tregoi se Balluku ishte larguar sërish nga Shqipëria.

“Ashtu siç paralajmërova, për të mos shkuar të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhje të saj, Belinda Balluku raportohet se ka sajuar një vizitë në Bullgari. Atje me siguri do të mbajë një “masterclass” për përvojën e saj të pasur me tenderat:
– Si të zhdukësh 50 milion € si në tunelin e Llogarasë;
– Si të vjedhësh 180 milion € në shit-blerje energjie;
– Si të vjedhësh 5 milion € në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës; dhe
– Si të avullosh 80 milion € me anije termocentral, që s’u vunë kurrë në punë.

Belinda Balluku mund ta shtyjë edhe pak me akrobacitë nëpër trena dhe avionë, por stacioni i saj fundor do të jetë vetëm një: burgu i grave në Pojskë. Dhe përpëra se të mbërrijë stacionin final, herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë së shpejti patjetër në SPAK!”, tha Bardhi një ditë më parë.

Vetë Balluku konfirmoi se e ka nisur javën jashtë Shqipërisë. Këtë herë në Bukuresht.

“Ministrat e Energjisë së Europës Qendrore dhe Juglindore u mblodhën sot në Bukuresht për takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë, drejtuar nga Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jørgensen, nën mikpritjen e Qeverisë Rumune, veçanërisht ministrit të Energjisë, Ivan.
 
Të gjithë ministrat kanë relatuar për situatën energjetike të rajoneve përkatëse, përgatitjet për dimrin 2025-2026 dhe mbi të gjitha sigurinë energjetike edhe nën optikën e kërcënimit që vjen nga përdorimi i gazit rus.
 
Kam përfituar nga rasti të ndajë në këtë event një arritje të rëndësishme të Shqipërisë gjatë këtij viti, bazuar në strategjinë kombëtare për diversifikimin. Për herë të parë raporti 8 mujor për 2025-ën tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga burimet diellore, duke çuar kështu raportin total të prodhimit të brendshëm në 90% hidro dhe 10% energji diellore.
 
Gjatë ditës kam pasur kënaqësinë të takoj dhe diskutoj me shumë nga kolegët që ishin prezentë dhe gjithashtu me Komisionerin Jørgensen, por dua të veçoj takimin bilateral me ministrin rumun të Energjisë ku kemi diskutuar mbi ngjizjen e një plani për krijimin e një boshti energjetik, ku përfshihet Shqipëria, Rumania, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Italia.
 
Bashkëpunimi i gjerë rajonal ka treguar se është dhe do të jetë baza e një suksesi të garantuar për sigurinë energjetike europiane”, tha Belinda Balluku./ Zoom.al

Postime të lidhura