zoom

Aktualitet

Babai i Ergys Agasit, i ftuar nderi i Ramës në 35-vjetorin e PS-së së Durrësit

Babai i Ergys Agasit, i ftuar nderi i Ramës në 35-vjetorin e PS-së së Durrësit

Bardhyl Agasi, babai i të shumëkërkuarit nga drejtësia, Ergys Agasi, ishte pasditen e sotme i ftuar nderi në festën e 35-vjetorit të degës së PS në Durrës.

Vetëm dy ditë më parë ai u nderua me një certifikatë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në PS, gjatë një ceremonie, në ambientet e Bashkisë Durrës. Ai ka qenë deputet për tre mandate në Durrës.

Cerifikata iu dorëzua nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, bashkë me numrin 2 në Partinë Socialiste Blendi Klosin.

Ndërsa kur u ngjit sot në skenë, Bardhyl Agasi nuk la pa falenderuar Ramën, duke e quajtur mik e shok të dashur. Paralelisht, ai zgjodhi të sulmojë Sali Berishën për dhunë e terror që sipas tij, policia nën urdhërat e tij ka ushtruar ndaj socialistëve.

Por lavdet për Ramën apo sulmet ndaj Berishës të lënë shije hipokrizie pasi djali i tij, Ergys Agasi ndodhet në arrati prej muajsh tashmë, i akuzuar për grup të strukturuar kriminal.

Prokuroria e Posaçme akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn se krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes. Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan arrestimit dhe ndodhen në arrati.

Dhe sot, babai i Agasit gjen kurajon që në prani të kryeministrit, të dalë në skenë e të lavdërojë Partinë Socialiste, të sulmojë Sali Berishën për vitet e shkuara e të kafshojë gjuhën për djalin e tij të etiketuar si kriminel nga SPAK, që autoritetet nuk i gjejnë dot vendndodhjen.

“Është emocionuese që pas kaq vitesh të rikthehesh në pallat, ku dikur ndjenim mbi shpatullat tona shkopinjtë e policisë berishiane. Sot shohim gjithë këto fytyra të qeshura, plot entuziazëm, plot optimizëm, me besimin e plotë që PS do të arrijë më tej me sukseset e saj, me në krye kryetarin tonë të partisë, Edi Ramën. Para dy ditësh, shumë nga themeluesit që janë këtu, morën këtë fletë mirënjohjeje me firmën e kryetarit tanë të dashur. Mund të ketë edhe të tjerë, madje e gjithë salla mund ta meritojë këtë fletë mirënjohjeje sepse ka qenë një heroizëm në atë kohë kur është krijuar PS në Durrës, mund të them që ishte një terror i vërtetë. Ishte trimëri, heroizëm të pranoje që ishe anëtar i PS. Kam diçka për z. Edi Rama. I dashur Edi, po flas me gjuhë shoqërore. Ju na nderuat vërtetë me fletën e nderit që na dhatë. Ka ardhur koha që partia jonë e lavdishme të ketë historinë e saj të lavdishme, të shkruar, sepse nesër, pasnesër ne nuk do të jemi. Meqë ju na nderuat, më lejo që edhe ne të të kthejmë një përgjigje: I dashur Edi, miku ynë i madh, udhëheqësi, prijësi jonë i dashur, të falenderojmë me gjithë zemër edhe ne. Sot të japim certifikatën e gjithë zemrave tona për drejtimin tepër serioz dhe të suksesshëm që po çon përpara PS. Mirënjohje për ju, shoku, miku, zoti Edi Rama”, tha Bardhyl Agasi./ Zoom.al

Postime të lidhura