zoom

Aktualitet

Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, reagon policia

Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, reagon policia

Policia e Kosovës ka konfirmuar se sot paradite ka marrë një kërcënim për mjet shpërthyes në objektin e Kuvendit të Kosovës, i dërguar përmes një mesazhi SMS.

Policia tha se menjëherë pas marrjes së informatës ka angazhuar njësitë kompetente, të cilat kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar deputetët, stafin dhe përfaqësuesit e mediave nga ndërtesa, pak para nisjes së seancës konstituive që ishte planifikuar të fillonte në orën 11:00.

“Janë njoftuar prokuroria kompetente dhe hetuesit policorë, të cilët së bashku me ekspertët për deminim po kryejnë kontrolle të hollësishme në objekt”, tha Policia e Kosovës.

Deputetët, pas evakuimit, thanë se u është kërkuar nga policia të largohen nga salla, duke shprehur shqetësime për sistemin e sigurisë në Kuvend dhe dyshime nëse kërcënimi ishte real.

Në këtë moment, Kuvendi nuk ka njoftuar për datën e rinisjes së seancës, ndërsa autoritetet vazhdojnë me verifikimet në ambientet e ndërtesës./ Zoom.al

Postime të lidhura