Aplikacion
Pas disa lajmeve që paralajmëronin se Irani mund të synonte kampin Ashraf 3 në Manzë, ka reaguar zëdhënësi i kampit, Shahriar Kia. Ai mohoi çdo mundësi reale të një sulmi dhe e cilësoi këtë si propagandë të orkestruar nga regjimi iranian për qëllime psikologjike.
“Lajmet për një sulm të mundshëm ndaj Ashraf 3 dhe mbulimi i tyre në disa media shqiptare janë thjesht propagandë e regjimit iranian. Qëllimi i tyre është të krijojnë shqetësim dhe kaos në Shqipëri, duke përdorur luftë psikologjike”, tha Kia.
Ai shtoi se nga ana teknike, raketat iraniane nuk kanë kapacitet për të arritur territorin shqiptar. “Është e pamohueshme se këto raketa nuk mund të mbërrijnë në Shqipëri. Lajmet nuk bazohen në asnjë fakt dhe janë pjesë e një strategjie të koordinuar propagandistike me agjentët e regjimit në Shqipëri”, vijoi zëdhënësi.
Deklarata vjen pasi një media iraniane paralajmëroi se Teherani mund të godiste kampin e muxhahedinëve në Durrës.
Duke iu referuar sulmeve të fundit të Iranit ndaj objektivave në Qipro, media iraniane raportoi se Teherani nuk po e kufizon më veprimtarinë e tij në një hapësirë të caktuar gjeografike kur bëhet fjalë për kundërshtarët, duke sinjalizuar një zgjerim të kapaciteteve operacionale përtej rajonit.
Një kompleks i fortifikuar në fshatin Manzë, Shqipëri shërben si shtëpi për rreth 3 mijë anëtarë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit.
Lëvizja opozitare ka selinë në Shqipëri që prej vitit 2013, kur qeveria jonë pranoi strehimin e anëtarëve të saj me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara. / Zoom.al