zoom

Aktualitet

3 ditë reshje intensive në Shqipëri/ Ja zonat ku jepet alarmi për përmbytje

3 ditë reshje intensive në Shqipëri/ Ja zonat ku jepet alarmi për përmbytje

Gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, në territorin e Shqipërisë pritet përkeqësim i ndjeshëm i kushteve atmosferike, me reshje shiu me intensitet të lartë, kryesisht në zonat veriore dhe jugore të vendit.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) bën me dije se qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër janë më të rrezikuarat nga vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve të vegjël malorë, si edhe nga rrëshqitje dherash.

Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, sidomos aty ku sistemi i kanalizimeve është i amortizuar ose i bllokuar.

Sipas parashikimeve, reshjet intensive të ditëve të fundit, të cilat pritet të vazhdojnë deri të enjten, më 8 janar, do të sjellin rritje të ndjeshme dhe potencialisht të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve të ujit në disa prej lumenjve kryesorë të vendit. Në veçanti, rrezikshmëri e lartë parashikohet për sistemin Drin–Bunë, Liqenin e Shkodrës, lumin Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të mbeten nën monitorim të vazhdueshëm, pasi gjatë ditës së sotme dhe të nesërme ekziston rrezik i shtuar për përmbytje, për shkak të niveleve të larta dhe prurjeve të mëdha ujore.

Sa i përket temperaturave, për ditën e nesërme parashikohet që vlerat minimale dhe maksimale të jenë: në zonat bregdetare: 13 – 17°C; në zonat e ulëta: 12 – 17°C dhe në zonat malore: 5 – 11°C./ Zoom.al

Postime të lidhura