Aplikacion
Në lidhje me situatën e tensionuar në zonën e Thethit, Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine, ka reaguar publikisht duke shprehur shqetësimin e Kishës Katolike për zhvillimet e fundit mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore.
Në deklaratën e tij, Peragine thekson se, përveç lutjeve, ndien detyrimin të shprehë edhe një qëndrim të qartë për situatën aktuale. Ai bën thirrje për ruajtjen e qetësisë, dialog të hapur dhe respekt të jetës njerëzore.
“Si Kishë Katolike jemi dhe do të jemi gjithmonë në anën e paqes dhe të arsyes,” deklaron ai. “Dënojmë me vendosmëri çdo formë dhune, pavarësisht nga pala që e ushtron atë.”
Arqipeshkvi shpreh solidaritetin e Kishës me të gjithë ata që punojnë me ndershmëri dhe dinjitet, duke theksuar nevojën për respektim të ligjit dhe drejtësisë. Ai shton se mbrojtja e mjedisit është thelbësore, por nuk duhet të neglizhohen as të drejtat e atyre që përpiqen të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.
Në përfundim, Peragine shprehet me ndjenjë të thellë: “Lutem me zemër që kjo situatë të marrë zgjidhje sa më të shpejtë.”
Deklarata e tij vjen në një kohë kur tensionet në zonën turistike të Thethit janë shtuar pas përplasjes mes komunitetit vendas dhe institucioneve për çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtave të pronësisë.