zoom

Aktualitet

Zhduket e reja shqiptare në Itali/ U largua me një BMW të zezë dhe humbi kontaktet

Zhduket e reja shqiptare në Itali/ U largua me një BMW të zezë dhe humbi kontaktet

Një vajzë shqiptare 21 vjeçe rezulton e zhdukur prej disa ditësh në provincën e Foggias në Itali, ndërsa autoritetet italiane po zhvillojnë kërkime intensive për të zbuluar fatin e saj. Hetimet janë fokusuar në disa pista, mes të cilave edhe dyshimi për shfrytëzim në prostitucion.

Sipas raportimeve të mediave italiane, e reja është parë për herë të fundit pasditen e 2 marsit në afërsi të një rruge nacionale në zonën e Foggias. Pas denoncimit të zhdukjes nga personat e afërt, policia ka nisur operacione kërkimi në terren me patrulla, qen nuhatës dhe mjete ajrore pa pilot.

Gjatë kontrolleve në zonë, ekipet e kërkimit kanë gjetur fillimisht xhaketën që dyshohet se i përkiste vajzës, ndërsa disa metra më tej është zbuluar edhe telefoni i saj celular. Gjetja e këtyre sendeve ka shtuar dyshimet se ajo mund të jetë përballur me një situatë të rrezikshme pak para se të zhdukej.

Sipas dëshmisë së një shoqeje të saj, me të cilën jetonte në Itali prej disa muajsh, të dyja kishin punuar fillimisht në sektorin e bujqësisë. Më pas ato ishin zhvendosur në zonën e Foggias, ku dyshohet se ushtronin prostitucion përgjatë një segmenti të Rrugës Shtetërore 16.

Shoqja ka deklaruar gjithashtu se disa ditë para zhdukjes ato ishin kërcënuar nga një person i panjohur, i cili u kërkonte para për t’i lejuar të punonin në atë zonë. Sipas saj, ai kërkonte pagesa të rregullta dhe i kishte paralajmëruar se mund t’i detyronte të punonin për të nëse nuk paguanin.

Ditën kur humbi kontaktet me të, 21-vjeçarja dyshohet se u largua me një makinë BMW të zezë, ku ndodhej një person i ri. Pak kohë më pas, shoqja e saj tentoi ta telefononte, por telefonata u ndërpre papritur dhe që nga ai moment nuk është arritur më asnjë komunikim me të.

Autoritetet italiane vijojnë kërkimet në zonë dhe po verifikojnë çdo pistë të mundshme që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes./ Zoom.al

Postime të lidhura