zoom

Politikë

Zbulohet arsyeja përse kryeministri Rama mungoi sot në parlament

Opozita insistoi sot që kryeministri Edi Rama të ishte prezent në parlament për t’iu përgjigjur pyetjeve të saj në lidhje me dosjen hetimore të FBI për ish -agjentin Charles McGonigal.

“Edi Rama të vijë këtu ose të shpallë dorëheqjen dhe të dëshmojë në SHBA. Çfarë kërkoni ju të ndodhë më shumë se kaq”, deklaroi kryetari i PD, Sali Berisha.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e justifikoi mungesën e kryeministrit me agjendën e ngjeshur të tij.

Në rrjetet sociale dhe në disa media u spekulua se kreu i qeverisë është këshilluar të qëndrojë larg mediave, teksa politika dhe opinioni publik po ziejnë nga skandali i dosjes “Rama -McGonigal”. Në këtë mënyrë ai do të shmangte çdo deklaratë që mund të rëndonte pozitat e tij në rast se do të përfshihej në një hetim për rastin.

Por Zoom.al mëson se kryeministri nuk ka pasur asnjë takim në axhendë. Madje ai ka anuluar edhe disa aktivitete të parëndësishme dhe pritjet rutinë në zyrën e tij.

Sipas burimeve të Zoom.al, prej mbëmjes së shkuar kur mbaroi takimin me drejtuesit e qarqeve në PS dhe gjatë gjithë ditës së sotme kryeministri ka qëndruar në shtëpi.

Shkak për këtë “izolim” të tijin mësohet se është bërë gjendja e tij shëndetësore, pasi rezulton të jetë prekur nga viroza stinale që po qarkullon. /Zoom.al