zoom

Ide & Blog

Karma, Edi, Roberta dhe standardi

Karma është një nocion në hinduizëm e budizëm, sipas të cilit fjalët e veprat e njeriut, të mira ose të këqija, sjellin pasoja në jetën e tij.

Të njëjtin besim e gjen në doktrinën e krishterë përmes metaforës “çfarë do të mbjellë njeriu, atë dhe do të korrë”, siç i mësonte Shën Pavli në letrën e tij drejtuar Galatasve (6:7). Edhe shprehja e popullarizuar në anglisht “karma is a bitch”, që mund të përkthehet “karma është një bushtër” (por jo “karma është një kurvë”, siç e vulgarizuan gabimisht disa media së fundmi) pak a shumë ka kuptimin se si të bësh ashtu do të ta bëjnë.

Këtë shprehje përdori para një jave edhe KM Edi Rama, teksa në Forumin e Davosit (Zvicër) iu drejtua Presidentes së Parlamentit Europian, znj. Roberta Metsola, lidhur me ryshfetin e disa eurodeputetëve socialistë nga dy shtete arabe. Mediat europiane të pranishme e interpretuan këtë fjalë si një kunjë ndaj Parlamentit Europian me kritikat e tij të përsëritura ndaj korrupsionit në qeverinë Rama. Dy fjalë për korrupsionin në Europë me fokus në parlamentet: padyshim që ka e do të ketë. Si kudo. Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës para 10 vjetësh u zbulua një përpjekje sistematike dhe e suksesshme e Azerbajxhanit për të ndikuar disa deputetë (më së shumti nga Europa Perëndimore) përmes peshqesheve e ryshfeteve.

Skandali i pagëzuar “Caviar connection” çoi menjëherë në përjashtimin e këtyre deputetëve nga Asambleja; disa syresh u përballën me drejtësinë në vendet e tyre, ku edhe u dënuan penalisht. Në Gjermani, deputeti i CDU, Markus Hauptmann, u detyrua të jepte dorëheqjen nga grupi parlamentar dhe nga Bundestagu, mbasi u zbulua se kishte tentuar të përfitonte nga tenderët e Covidit. Shtypi gjerman solli edhe prova e ngriti dyshime se Hauptman ishte vënë në shërbim të qeverive të Azerbajxhanit e Shqipërisë kundrejt përfitimeve personale.

Ende nuk ka të dhëna nga ndonjë hetim penal, por Hauptmann u shfaq në Tiranë në vizita private, i shoqëruar nga deputetë problematikë të PS, duke lavdëruar para mediave sukseset e qeverisë Rama. Krejt në kundërshtim me pozicionin e grupit parlamentar të tij (ju kujtohen 9 kushtet e Bundestagut në v. 2019). Më tej, Hauptmann u shfaq në hotele të shtrenjta në Dhërmi në shoqërinë e një “këshilltari informal” të Ramës (siç rezulton nga aktakuza amerikane e publikuar këto ditë, një muaj mbas relaksit në Dhërmi, ky “këshilltar” nis punën si pagator e menaxher i agjentit Charles McGonigal në FBI).

Dy shembujt parlamentarë të mësipërm dëftojnë se korrupsioni është i pranishëm edhe në demokracitë e pjekura me shtet ligjor të konsoliduar. Por çka i dallon këto të fundit nga demokracitë e reja me shtet ligjor ende të pakonsoliduar janë dy gjëra: e para shkalla e përhapjes së korrupsionit sidomos në vertikalen e pushtetit; e dyta dhe më e rëndësishmja është reagimi ndaj korrupsionit. Është reagimi politik e institucional ndaj skandaleve të korrupsionit e të shpërdorimit të ofiqit publik.

Këtu Edi Rama e Roberta Metsola ilustrojnë kontrastin e mësipërm: Në dhjetorin e shkuar, Presidentja e PE mori avionin për në Maltë, vendlindjen e saj, për të filluar me familjen pushimet e Krishtlindjes. Me të arritur në aeroport e telefonuan nga Brukseli për ta njoftuar se prokurori do të bastiste banesën e eurodeputetit Marc Tarabella, sepse sipas ligjit belg aty duhet të ishte i pranishëm Presidenti i legjislaturës përkatëse. Metsola nuk hezitoi dhe mori të njëjtin avion që pas një ore kthehej në Bruksel e më tej udhëtoi tok me Policinë e prokurorin për në banesën në fjalë. Të nesërmen ajo deklaroi se kërkesat për heqje imuniteti do të trajtoheshin me urgjencë dhe vërtet ajo mblodhi menjëherë byronë e plenaren ku këto kërkesa u miratuan me votë gati unanime; në vijim Policia arrestoi eurodeputetët e dyshuar.

Në tetor 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Kuvendit të Republikës lejen për të arrestuar deputetin socialist Sajmir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, 2013-2017. Edhe pse Tahiri e kishte bërë baltë me drogën e të tjera, Rama e kishte mbrojtur si “ministrin më të suksesshëm” të qeverisë së tij; vetëm nën presionin e brendshëm e sidomos të jashtëm e detyroi të dorëhiqet, por e kandidoi në Tiranë në listën fituese të PS. Por mbas kërkesës së Prokurorisë, mbrojtja e Tahirit nga Rama personalisht e nga maxhoranca e PS arriti nivele të papara.

Prokurorët u thirrën në komisionin e mandateve në Kuvend ku shumica socialiste i ktheu nga akuzues në të akuzuar; po kështu edhe kori i propagandës mediatike. Kërkesa për arrestim u hodh poshtë, kurse ajo për kontroll banese u miratua mbas afro 10 ditësh: kohë e mjaftueshme për të “pastruar” shtëpinë. Veç kësaj Rama u konfliktua edhe me titullarë politikë të Parlamentit Europian, të cilët kritikuan qëndrimin ndaj Tahirit. Ai u shkroi atyre letra me pretendimin se akuza ishte një gjueti shtrigash.

Përgjigja me shkrim ishte: “Heqja e imunitetit të deputetit kurdoherë që ka dyshime serioze, nuk do të thotë të fillosh një gjueti shtrigash, por përkundrazi do të thotë të vendosësh gjyqësorin në një pozicion ku mund të bëjë punën e tij në mënyrën e duhur” dhe “Ne gjithashtu besojmë se krimet e lidhura me drogën janë një problem i madh që mund të pengojë rrugën e vendit drejt BE-së dhe se përpjekje të mëtejshme duhet të bëhen në këtë luftë”. Lexuesi mund të krahasojë standardin parlamentar Metsolas me atë të Ramës dhe të konkludojë si të dojë. Por që ky i fundit t’i japë mësime morali Presidentes së Parlamentit Europian është një shkallë më e lartë e paturpësisë se çfarë kishim parë deri tashti. Me një të dhjetën e skandaleve të Ramës, Metsola do të ishte dorëhequr; nëse jo, do ta kishin shkarkuar.

Nga Genc Pollo