zoom

Ide & Blog

Korrupsioni i Ramës që përçau dhe po bashkon demokratët mes tyre dhe me SHBA

Opozita është bërë bashkë sot në parlament për t’i kërkuar llogari kryeministrit Edi Rama për skandalin e korruptimit të një zyrtari të lartë të FBI, për ta përdorur atë që të hapte një çështje hetimore për Partinë Demokratike.

Dosja e FBI tregon se si ish -shefi i Kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal, kishte marrë informacione të dala nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të hëtuar Nick Muzin, një lobist amerikan që ishte paguar nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës për të lobuar për interest e saj në Uashington.

Hetimi për Muzin e goditi rëndë Partinë Demokratike në parballjen elektorale me Partinë Socialiste, duke i shkaktuar humbjen në zgjedhje, por më pas u përdor edhe nga PD e drejtuar nga Sali Berisha për t’i shtuar benzinë zjarrit të ndezur brenda Selisë Blu mes Berishës e Bashës pas shpalljes së Berishës “non grata”.

Por sot demokratët, me dosjen Rama – McGonigal, kanë kuptuar se cili është strubullari i luftës së ndezuar në kampin e djathtë, se kush e ka kurdisur politikën e Uashingtonit, përmes korrupsionit dhe manipulimit, kundër opozitës shqiptare.

Dosja Rama – McGonigal hedh po ashtu dyshime për mënyrën se si mund të jetë influencuar Uashingtoni për të marrë vendimin që të shpallë “non grata” Sali Berishën, 8 vjet pasi ai i kishte larë hesapet me pushtetin, 8 vjet pasi kishte qëndruar në opozitë të fortë kundër Edi Ramës.

Hetimet e mëtejshme do të hedhin me siguri më shumë dritë mbi rolin e kryeministrit të Shqipërisë në ndërsimin e politikës zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër opozitës në Shqipëri.

Por teksa pazëlli po plotësohet, opozita duket se po ndërgjegjësohet për të kuptuar se cili është armiku i vërtetë i saj dhe kush qëndron pas konfliktit më të madh që kanë pasur ndonjëherë në familjen e tyre.

Kjo është mëse e mjaftueshme që dy grupimet e Partisë Demokratike të ulen e të shihen në sy, sa për faktin se e kanë kuptuar se cili është porositësi i “vrasjes me pagesë të PD-së”, aq edhe për faktin se vazhdimi i marrëzisë së luftës mes tyre do ta amnistonte sërish dorëzanin që korruptoi agjentin e FBI.

Sot opozita duhet të kuptojë se bashkimi, pëballë korrupsionit që i çau mes tyre dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është “selami” më i mirë që mund t’i dërgojë Edi Ramës, si fundin e makinacioneve që ai përdori për të qëndruar 9 vjet në pushtet.

Ky bashkim do të ishte masazhi më i mirë i pajtimit edhe me Ambasadën Amerikane në Tiranë, e cila po ashtu e ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër grackën në të cilën ra edhe vetë politika amerikane nga përdorimi i një zyrtari të lartë të FBI-së me dokumenta të dala nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, për ta nxjerrë opozitën shqiptare si një forcë politike të lidhur me Rusinë. /Zoom.al