zoom

Aktualitet

Zbardhet dinamika ku mbeti i plagosur polici, shpallen në kërkim dy vëllezër

Zbardhet dinamika ku mbeti i plagosur polici, shpallen në kërkim dy vëllezër

Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e ngjarjes në Shkozë, ku gjatë natës (18 maj) mbeti i plagosur efektivi i policisë, Anxhelo Kumaraku 30 vjeç, i cili ishte jashtë shërbimit.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.

Blutë e kryeqytetit sqarojnë se për ngjarjen janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy vëllezër, të cilët tentuan të vrisnin me armë zjarri personin që shoqëronte policin, shtetasin 31-vjeçar të identifikuar si Kejdi Spaja. Ky i fundit u arrestua nga policia, pasi në momentin kur ndodhi ngjarja kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për ngjarjen e ndodhur në mesnatë, në Shkozë, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit Aldo Lika 33 vjeç dhe Ali Lika 22 vjeç, (vëllezër). Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit Kejdi Spaja, i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit  Anxhelo Kumaraku dhe L. D. Nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht në këmbë shtetasi Anxhelo Kumaraku 30 vjeç (punonjës policie, jashtë shërbimit). Ai po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, thuhet ne njoftim.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi K. S., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, ndaj punonjësit të Policisë A. K., Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë.

Postime të lidhura