Aplikacion
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar për plagosjen e efektivit të policisë, Anxhelo Kumaraku, ngjarje e ndodhur gjatë natës në zonën e Shkozës.
Sipas informacioneve paraprake, në kërkim janë shpallur dy vëllezër, të cilët dyshohet se kanë pasur një konflikt për borxhe me fqinjin e efektivit.
Në momentin e atentatit, Anxhelo Kumaraku ndodhej në shoqërinë e këtij të fundit, i cili rezulton të ketë qenë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë që ishte thyer prej tij.
Hetimet kanë zbuluar se disa muaj më parë, për shkak të konfliktit mes palëve, fqinji i policit kishte dhunuar dy vëllezërit. Dyshohet se si pasojë e këtij konflikti, ata kanë tentuar ta qëllojnë me armë mbrëmjen e së dielës, por plumbat kanë kapur efektivin 30-vjeçar.
Gjatë dëshmisë para hetuesve, polici ka deklaruar se nuk kishte njoftuar autoritetet për shkeljen e masës së sigurisë nga fqinji i tij, pasi njiheshin prej vitesh dhe ndodheshin së bashku në një rrugicë pranë banesës.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.