Aplikacion
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ka qëndruar rreth një orë për të dhënë shpjegime.
Pas daljes nga prokuroria, Mziu nuk ka dhënë detaje për arsyen e thirrjes së tij, duke u treguar i rezervuar ndaj pyetjeve të gazetarëve. Ai u shpreh shkurtimisht se ishte paraqitur për një çështje që lidhet me policinë dhe jo me procesin zgjedhor.
“Kam ardhur për një koment për një çështje policie. Nuk ka lidhje me zgjedhjet”, deklaroi deputeti demokrat.
Ndërkohë, në Prokurorinë e Posaçme ekziston edhe një kallëzim ndaj Mziut i bërë nga deputeti socialist Agron Malaj. Ky i fundit e akuzon për veprën penale të shpifjes.
Gjithashtu, Mziu është marrë në pyetje edhe më herët nga prokurorët e SPAK. Në vitin 2024 ai është pyetur për një çështje tjetër që lidhej me disa tendera gjatë kohës kur drejtonte Bashkinë e Kamzës./ Zoom.al