zoom

Aktualitet

Washington Times: Baronët e drogës forcojnë kontrollin mbi Shqipërinë, vend aleat i NATO-s

Washington Times: Baronët e drogës forcojnë kontrollin mbi Shqipërinë, vend aleat i NATO-s

Artikulli i Washtington Times

Një vrasje e bujshme mafioze jashtë aeroportit kryesor të Shqipërisë muajin e kaluar ka shtuar frikën se vendi anëtar i NATO-s po rrëshqet gjithnjë e më shumë nën sundimin e krimit të organizuar.

Liderë të opozitës paralajmërojnë se Shqipëria ndodhet në prag të shndërrimit në shtetin e parë të vërtetë narkotik të Europës.

Gilmando Dani, i konsideruar si një nga drejtuesit e rrjetit kriminal Shullazi, u ekzekutua me breshëri armësh zjarri në mes të ditës, teksa po kthehej në Shqipëri nga Spanja, më 11 nëntor.

Në një video, një grup ekzekutorësh shihet teksa del nga një automjet i parkuar dhe i zë pritë makinës luksoze të viktimës. Pas breshërisë së automatikut, autorët verifikojnë qetësisht se objektivi ka mbetur i vdekur dhe më pas largohen nga vendngjarja.

Skena të tilla të rënda po bëhen gjithnjë e më shqetësuese dhe të zakonshme në Shqipëri, thonë kritikët. Rrjeti kriminal i Shullazit është i përfshirë në disa veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikun e drogës. Liderë të opozitës dhe ekspertë ndërkombëtarë kundër narkotikëve paralajmërojnë se Shqipëria është shndërruar në një pikë kyçe në Ballkan për kartelet e drogës nga Amerika Latine, si edhe në një qendër të rëndësishme të tregtisë së marijuanës në Europë.

“Degët shqiptare të karteleve narkoterroriste të Amerikës së Jugut janë aktualisht transportuesit kryesorë të kësaj droge nga Amerika e Jugut drejt Europës. Ato kontrollojnë çmimin e saj në Europë dhe vijojnë të forcojnë ndikimin edhe në tregun e SHBA-së,” deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha për The Washington Times.

Berisha dhe anëtarë të tjerë të Partisë Demokratike, kanë bërë thirrje që Presidenti Trump të caktojë zyrtarisht kartelët shqiptare të drogës si organizata narkoterroriste.

Berisha deklaroi se qeveria amerikane nën Presidentin Biden ka mbyllur sytë ndaj trafikut të narkotikëve që lulëzoi gjatë mandatit të kryeministrit socialist, Edi Rama, i cili drejton vendin që nga viti 2013.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka ofruar “vlerësime” kryeministrit Rama. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 15 shkurt 2024, Blinken e përshkroi Ramën si “një partner të jashtëzakonshëm për Shtetet e Bashkuara”, duke vlerësuar rolin e tij në mbështetjen e përpjekjeve amerikane për refugjatët afganë dhe Ukrainën.

Unionit Demokratik Ndërkombëtar, një federatë e partive qendrore të djathta dhe kristiandemokrate, miratoi këtë muaj një rezolutë që akuzon Partinë Socialiste në pushtet për lehtësimin e “përfshirjes kriminale në kontrata publike, ndërtim dhe turizëm”.

Berisha u sanksionua nga administrata e Biden në vitin 2021 për korrupsion dhe iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara, por ai e kundërshton këtë vendim, duke e cilësuar të motivuar politikisht.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë qenë probleme në Shqipëri që nga kolapsi anarkik i komunizmit në vitet ’90. Gjatë dekadës së fundit, rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar lidhjet e tyre me organizata kriminale në Itali, përfshirë Ndranghetan (Kalabria) dhe Camorran (Napoli), si dhe me grupe më të reja në Amerikën Latine.

Këto lidhje kanë nxitur një valë dhune në Europë, me ngjashmëri me dhunën e trafikut të drogës në Amerikën Latine. /Zoom.al

Postime të lidhura