zoom

Bota

Vrau të dashurën me 4 plumba, sportisti do të lirohet nga qelia 11 vite pas krimit

Vrau të dashurën me 4 plumba, sportisti do të lirohet nga qelia 11 vite pas krimit

Ish-kampioni paraolimpik Oscar Pistorius do të lirohet nga burgu me kusht, gati 11 vjet pasi vrau të dashurën e tij Reeva Steenkamp.

Ai e qëlloi atë disa herë me pistoletë përmes derës së tualtetit në ditën e Shën Valentinit në 2013 dhe pretendoi se e kishte ngatërruar duke menduar se kishte hyrë një hajdut në shtëpinë e tyre në Pretoria.

37 vjeçari, me këmbë të amputuar, u dënua nga një gjykatë në Afrikën e Jugut në vitin 2016 me 13 vjet e pesë muaj burg.

Por do të lirohet me kusht më 5 janar 2024. Pasi të dalë nga qelia, Pistorius do të monitorohet nga autoritetet derisa dënimi i tij të përfundojë zyrtarisht.

Nëse ai dëshiron të zhvendoset në një shtëpi tjetër ose të gjejë një punë gjatë asaj kohe, ai do të duhet të njoftojë oficerin e tij të lirimit me kusht.

Pistorius gjithashtu do të duhet të marrë pjesë në seancat e terapisë, sipas zëdhënësit të familjes Steenkamp.

Në një letër që iu drejtua bordit të lirimit me kusht gjatë seancës dëgjimore të së premtes, nëna e modeles Steenkamp tha se ajo nuk e kundërshtonte lirimin e tij, por pyeste veten nëse “problemet e mëdha me zemërimin të Pistorius ishin trajtuar vërtet në burg”.

Ajo shtoi se ishte e shqetësuar për sigurinë e çdo gruaje që tani bie në kontakt me të.

June Steenkamp zgjodhi të mos marrë pjesë në seancën e lirimit me kusht në burgun Atteridgeville, duke thënë: “Unë thjesht nuk mund të mbledh energjinë për t’u përballur me të përsëri.”

Bashkëshorti i saj dhe babai i Reeva, Barry, vdiq në fillim të këtij viti.

“Barry u largua nga kjo botë krejtësisht i shkatërruar nga mendimi se ai nuk kishte arritur të mbronte vajzën e tij… Nuk kam dyshim se ai vdiq nga thyerja e zemrës” thuhej në deklaratën e Steenkamp.

Barry Steenkamp ishte takuar ballë për ballë me Oscar Pistorius vitin e kaluar si pjesë e procesit të rehabilitimit.

Steemkamp tha se megjithëse nuk beson se vrasësi i vajzës së saj është penduar, ajo megjithatë kishte vendosur ta falte atë shumë kohë më parë, duke u shprehur se “e dija se nuk do të mund të mbijetoja nëse do të më duhej të kapesha pas zemërimit tim”.

Kjo ishte seanca e dytë e Pistorius për lirim me kusht në më pak se një vit. Kërkesa e tij e parë për lirim me kusht u rrëzua në mars sepse ai nuk kishte përfunduar periudhën minimale të paraburgimit. Kjo më vonë u gjykua si një gabim nga Gjykata Kushtetuese e Afrikës së Jugut, duke çuar në seancën e re të lirimit me kusht.

Sipas ligjit të Afrikës së Jugut, të gjithë shkelësit kanë të drejtë të konsiderohen për lirim me kusht pasi të kenë kryer gjysmën e dënimit të tyre total.

Reeva Steenkamp, ​​e cila ishte 29 vjeçe kur u vra nga sportisti. Ajo ishte një diplomuar në drejtësi dhe modele e suksesshme, e cila gjithashtu punoi si prezantuese televizive dhe u shfaq në një reality show të quajtur Tropika Island of Treasure.

Steenkamp kishte vetëm tre muaj e lidhur me Pistorius kur ai e qëlloi katër të shtëna me një pistoletë përmes derës së tualetit në shtëpinë e tij në Pretoria në orët e para të mëgjesit të 14 shkurtit 2013.