Aplikacion
Kastriot Cenko, 39-vjeçarit shqiptar i përfshirë në një ngjarje të rëndë familjare që ndodhi në nëntor të vitit 2024, ka dalë para gjykatës.
Ai vrau me çekiç të shoqen, Alba Cenkon, dhe e fshehu trupin në papafingo.
Gjatë seancës, i pandehuri ka mohuar se krimi ishte i planifikuar, duke pretenduar se gjithçka ndodhi në një moment tensioni dhe gjendjeje të rënduar emocionale. Para trupit gjykues, ai deklaroi se nuk ishte në kontroll të plotë të vetes në atë moment dhe kërkoi falje publike, veçanërisht ndaj fëmijëve të tij dhe familjes së viktimës.
“Isha në gjendje të tërbuar, nuk isha në një gjendje të qetë mendore siç thotë aktakuza, nuk kishte paramendim. Gjithçka ndodhi në atë moment. Dua t’u kërkoj falje të thellë fëmijëve të mi që i privova nga nëna e tyre dhe një falje të thellë familjes së saj”, tha ai.
Në anën tjetër, dëshmia e nënës së gruas së ndjerë solli një tjetër panoramë të marrëdhënies në çift. Ajo tregoi se vajza e saj përballonte një ngarkesë të madhe pune për të mbajtur familjen, ndërsa sipas saj bashkëshorti nuk kontribuonte financiarisht. Nëna theksoi se e bija kishte shprehur shpesh pakënaqësi për jetën në familje, por pa dhënë shenja se do të largohej nga martesa.