zoom

Aktualitet

Vrasja e Gentian Bejtjas, për hakmarrje? Gjendet një makinë e djegur

Vrasja e Gentian Bejtjas, për hakmarrje? Gjendet një makinë e djegur

Autorët e vrasjes së një personazhi të njohur të botës së krimit, Gentian Bejtja, pasditen e kësaj të premteje në fshatin Larushk të Krujës nuk janë identifikuar ende.

Pas ngjarjes, policia doli me një njoftim të shkurtër për mediat, pa dhënë asnjë detaj më shumë as për dinamikën e as për motivet e vrasjes.

Vetëm pak minuta më vonë u njoftua se në fshatin Hasan është gjetur një makinë e djegur, që dyshohet se u përket autorëve.

Makina, sipas burimeve, është ende duke u djegur dhe efektivët nuk kanë mundur akoma për momentin që të shohin nëse ka armë brenda saj apo jo.

Mjeti është një fuoristradë e bardhë, ndërkohë po verifikohet nëse ka qenë e denoncuar më herët si e vjedhur apo jo.

Pista e hakmarrjes

Pista kryesore ku po heton policia për të zbardhur ekzekutimin në shtëpi të Gentian Bejtjas është ajo e hakmarrjes.

Ish-polici është i njohur për konflikte me personazhe të botës së krimit, që kanë nisur gati një dekadë më parë.

I njohur si ish-mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Gentian Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës, por jo vetëm.

Për herë të parë, emri i Gentian Bejtja, është lakuar mediatikisht kur në qytetin e Durrësit, vodhi së bashku me Enver Stafukën makinën tip “BMW”, të cilën disa ditë më vonë e përdorën në vrasjen e kryekomisarit të Policisë së Shtetit, Dritan Lamaj në Tiranë.

Emri i Bejtjas është përmendur edhe në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë dhe Durrës, ku pas marjes në pyetje ai është lënë sërish i lirë.

Në vrasjen e Arben Mërkurit, që ndryshe njihej “Maneci”, Gentian Bejtja ka dhënë shpjegime në polici mbi atë çfarë dinte. Më pas ai është lënë i lirë.

Ai është marrë në pyetje edhe për vrasjen e Iljaz Çalit në autostradë dhe për vrasjen në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vdekur Briland Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Bejtja njihet si një person që mbante lidhje të ngushta me Enver Stafukën, të zhdukur disa vite më parë. Ndërsa mes kundërshtarëve të tij në zonën e Fushë-Krujës, policia rendit Durim Bamin, Ramazan Rajën, Mariglen Hakën./ Zoom.al

Postime të lidhura