Aplikacion
Një nga personat e përfshirë në konfliktin e armatosur që përfundoi me vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili në Sarandë është vetëdorëzuar në polici.
Bëhet fjalë për Kostandin Vogli, 31 vjeç, banues në Shën Vasil të Himarës, i cili sipas burimeve hetimore është paraqitur vetë pranë autoriteteve disa orë pas ngjarjes. Ai kishte mbetur i plagosur në këmbë nga një armë zjarri dhe fillimisht u transportua në spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore.
Gjatë trajtimit në spital, Vogli është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes, ndërsa pritet të dërgohet në Vlorë për trajtim më të specializuar dhe për arsye sigurie.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet të ketë nisur për shkak të një përplasjeje mes Voglit dhe Viktor Rucit. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pasi ka parë Rucin në lokalin e Rexhep Ismailit, 31-vjeçari ka thirrur disa persona të tjerë dhe më pas situata ka degraduar në dhunë fizike dhe përdorim armësh.
Hetuesit dyshojnë se gjatë konfliktit, Ismaili ka qëlluar me kallashnikov, duke plagosur Voglin. Pas kësaj, një prej personave që ndodhej me të, i identifikuar si Lulzim Tabaku, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 66-vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen.
Nga verifikimet e policisë rezulton se Kostandin Vogli ka precedentë penalë. Ai është proceduar më parë për drejtim të parregullt të automjeteve, ndërsa në vitin 2023 ishte shpallur në kërkim për vepra që lidhen me narkotikët dhe kultivimin e bimëve narkotike./ Zoom.al