Aplikacion
Policia e Durrësit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj dy personave të dyshuar për vrasjen e 45-vjeçarit Denis Çumani, ngjarje e ndodhur në muajin janar të këtij viti në Shijak.
Në pranga kanë rënë Dorian Ferra, 36 vjeç, dhe Indrit Ferra, 38 vjeç, të afërm me njëri-tjetrin (kushërinj) dhe banues në Shijak. Sipas hetimeve, dyshohet se ata janë përfshirë në konfliktin që përfundoi me plagosjen me armë zjarri të 45-vjeçarit.
Ngjarja ka ndodhur më 27 janar 2026, kur pas një debati për motive të dobëta, dy të dyshuarit dyshohet se kanë qëlluar me armë ndaj Denis Çumanit. I plagosuri u transportua në spital, por për shkak të dëmtimeve të marra humbi jetën disa ditë më vonë.
Sipas policisë, të dy personat ishin shpallur në kërkim dhe ndaj tyre Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./ Zoom.al