Aplikacion
I njohur me nofkën “Leksi i Druve”, Aleks Ndreka është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
49-vjeçari ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit “Metamorfoza” në korrik të vitit 2023 dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale që lidhen me pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve e mjeteve për kryerjen e vrasjes.
Ekstradimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane, përmes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, në vijim të operacionit të koduar “The Wanted”.
Sipas autoriteteve, Ndreka, i njohur edhe me identitetin Aleks Deda, akuzohet se në vitin 2017 ka siguruar informacion për vendndodhjen e tre shtetasve shqiptarë dhe më pas ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij për ngritjen e pritave me qëllim eliminimin e tyre. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar masën “arrest në burg” për veprën penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal./ Zoom.al