zoom

Politikë

(VIDEO) Rama dhe Veliaj dalin zbuluar! Propaganda te “5Maji”, godinat janë bosh

Ishte fundi i vitit që lamë pas, kur kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të inauguronin tre nga objektet e reja në lagjen “5 Maji”, pjesë e procesit të rindërtimit.

Sipas tyre, në këto godina u strehuan 100 familjet e para, të goditura nga tërmeti i 2019-ës. Vizita e dyshes Rama-Veliaj u përcoll gjerësisht në media duke zënë një hapësirë të konsiderueshme mediatike, përgjatë paradites.

Po kështu edhe më herët, në 24 gusht të 2021-shit, teksa sërish Rama dhe Veliaj inspektonin zonën në fjalë, deklaruan se në fund të vitit, njerëzit do të futeshin në shtëpi.

Teksa supozohet, qe tre javë më pas, këto familje të kenë marrë çelësat në duar dhe të kenë vijuar me ambientimin në shtëpitë e reja, e vërteta rezulton ndryshe.

Një grup aktivistësh kanë shkuar në godinat në fjalë, ku duket se nuk banon askush. Dritat janë të fikura, në dyert që trokitet nuk del askush.

Ndryshe nga çfarë u promovua, (godina të gjalla, gati për një rinisje të re), në të vërtetë në to mbizotëron errësira. Në një nga godinat, dera e shkallës është e kyçur. Po kështu asnjë nga zilet nuk funksionon.

Më tej, teksa aktivisti pyet një roje të kantierit, ku ai konfirmon se aty nuk banon njeri. Një video disaminutëshe, një hetim fare i thjeshtë, që vë në pah një propagandë të madhe./ Zoom.al