zoom

Të gjitha

Valë tjetër “Non Grata” nga SHBA për Shqipërinë. Ja kush rrezikon (Lista)

Valë tjetër “Non Grata” nga SHBA për Shqipërinë. Ja kush rrezikon (Lista)

Një valë e re sanksionesh amerikane po përgatitet për Shqipërinë dhe këtë herë fokusi nuk është më vetëm te politikanët. Pas “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, të miratuar në Kongresin Amerikan, SHBA po zhvendos goditjen drejt rrjeteve financiare dhe ekonomike që mbajnë në këmbë korrupsionin politik, duke krijuar terrenin për atë që konsiderohet tashmë një “valë e dytë Non Grata”.

Në Kongresin Amerikanë janë paraqitur këto ditë propozimet e dy senatorëve për të çmontuar rrjetet financiare që mbështesin politikanët e korruptuar në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor.

“Afati 90-ditor (që përfundon në mars 2026) pas hyrjes në fuqi të Western Balkans Democracy and Prosperity Act shënon një ndryshim thelbësor: nga goditja e politikanëve individualë, drejt çmontimit të rrjeteve financiare që i mbështesin ata” –thuhet në propozimet e siguruara nga Zoom.al

Nga politikanët, te paratë që i mbajnë në pushtet

Për herë të parë, SHBA nuk synon vetëm figurat politike të ekspozuara publikisht, por biznesmenët, ndërmjetësit dhe strukturat financiare që u kanë shërbyer atyre për vite me radhë. Kjo qasje e re pritet të krijojë një urë direkte mes statusit “Non Grata” dhe ndjekjes penale, duke e vendosur Shqipërinë përballë një faze të re presioni ndërkombëtar.

“Në Shqipëri, rezultati më i mundshëm është një ‘valë e dytë’ sanksionesh, e cila lidh statusin politik ‘Non Grata’ me ndjekjen penale” – theksohet në propozime.

Një udhërrëfyes i heshtur për SPAK-un

Në praktikë, sanksionet amerikane po shërbejnë si udhërrëfyes operacional për institucionet shqiptare të drejtësisë, veçanërisht për SPAK. Mesazhi është i qartë: nga ngrirja e aseteve dhe izolimi financiar, drejt arresteve në nivelet e larta të pushtetit ekonomik dhe politik.

“Duke emërtuar lehtësuesit ekonomikë, figurat e biznesit dhe ‘ndërmjetësit’ që mundësojnë korrupsionin, SHBA po ofron praktikisht një udhërrëfyes për SPAK-un që të kalojë nga ngrirja e aseteve te arrestimet në nivele të larta.”

Qëllimi: pastrimi i tregut para 2027-ës

Strategjia amerikane lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe ekonomik përpara zgjedhjeve të vitit 2027. Synimi është “pastrimi” i tregut nga konkurrenca e deformuar, e ndërtuar mbi para informale, favore politike dhe kapje të shtetit.

“Qëllimi është ‘pastrimi’ i tregut nga konkurrenca e deformuar përpara zgjedhjeve të vitit 2027.”

Sektorët dhe emrat që rrezikojnë (Lista)

Rishikimi 90-ditor i Departamentit Amerikan të Shtetit fokusohet te sektorët ku hyrja e ‘parave gri’ është më e lartë, duke i vendosur aktorët kryesorë të tyre nën lupë. Sipas propozimeve, këto janë sektorët kryesorë të lidhur me korrupsionin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

1. Teknologjia dhe infrastruktura digjitale

Kontraktorë të lidhur me AKSHI dhe skemat e ashtuquajtura “taksë korrupsioni” në shërbimet digjitale shtetërore.

“Fokus te kontraktorët e AKSHI-t dhe ‘taksa e korrupsionit’ në shërbimet digjitale shtetërore.”

2. Pasuri të paluajtshme dhe ndërtim

Zhvillime luksoze bregdetare dhe kullat shumëkatëshe në Tiranë, ku dyshohet për pastrim parash dhe favorizim politik.

“Shqyrtim i zhvillimeve luksoze bregdetare dhe i projekteve me kulla të larta në Tiranë.”

3. Energjia dhe shërbimet publike

Nën vëzhgim janë korporatat shtetërore si KESH dhe OST, si edhe koncesionet në energjinë e rinovueshme.

“Mbikëqyrje e korporatave shtetërore të energjisë (KESH, OST) dhe e koncesioneve në energjinë e rinovueshme.”

4. Partneritetet Publik-Private (PPP)

Auditim i kontratave për menaxhimin e mbetjeve dhe infrastrukturën, sektorë të njohur për kosto të fryra dhe klientelizëm.

“Audit i kontratave për menaxhimin e mbetjeve dhe projektet infrastrukturore.”

5. Banka dhe financë

Bankat vendase pritet të vihen nën presion për të ndërprerë çdo lidhje me individë apo kompani të sanksionuara.

“Monitorim i bankave vendase për të siguruar shkëputjen e lidhjeve me ‘lehtësuesit’ e sapo sanksionuar.”

6. Turizmi “strategjik”

Projekte që kanë marrë status të veçantë përmes favorizimit politik, veçanërisht në bregdet.

“Rishikim i projekteve që kanë marrë status ‘strategjik’ përmes favorizimit politik.”

Sinjali i qartë i Uashingtonit

Mesazhi amerikan është i prerë: epoka e tolerimit të korrupsionit përmes biznesit ka mbaruar. Nëse vala e parë “Non Grata” goditi emra politikë, vala e dytë rrezikon të nxjerrë në dritë listën e plotë të atyre që kanë financuar, lehtësuar dhe përfituar nga kapja e shtetit shqiptar.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, duhet të bëjë një relacion për Kongresin brenda 18 marsit të vitit 2026 për strategjinë 5 -vjeçare të zhvillimit ekonomik dhe ripërtëritjen e demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. /Zoom.al

Postime të lidhura