zoom

Lajme

Në Shqipëri nuk ka protesta kundër Kushner si në Serbi, se lideri i opozitës pret t’i heqin “non grata”

Në Shqipëri nuk ka protesta kundër Kushner si në Serbi, se lideri i opozitës pret t’i heqin “non grata”

Në Serbi, projekti luksoz i Jared Kushner u shndërrua në një betejë të ashpër mes qytetarëve dhe pushtetit. Mijëra qytetarë dolën në rrugë kundër planit për ndërtimin e një hoteli elitar në Beograd, duke e konsideruar atë një simbol të kapjes së shtetit, të privilegjeve politike dhe të shkeljes së trashëgimisë historike. Presioni publik ishte aq i fortë, saqë kompania e Kushner u tërhoq, ndërsa çështja përfundoi në prokurori, me akuza ndaj zyrtarëve të qeverisë serbe.

Bloomberg dhe Wall Street Journal e përshkruajnë këtë rast si një shembull tipik se si investimet e mëdha, kur ndërthuren me pushtetin politik, bëhen objekt reagimi qytetar në shoqëri ku opozita dhe rruga funksionojnë ende si mekanizma presioni.

Bloomberg nënvizon se Kushner megjithatë nuk është tëhequr nga Shqipëria, por mbi projektin e tij ka një mjegullnajë të madhe për shkak të hetimeve të fundit të SPAK për korrupsion në nivelet e larta të qeverisjes.

E megjithatë, në Shqipëri, tabloja është diametralisht e kundërt. Projekti i Jared Kushner për resortin ultra-luksoz në ishullin e Sazanit, një zonë me histori ushtarake dhe rëndësi mjedisore, nuk ka prodhuar asnjë reagim të krahasueshëm publik. Nuk ka protesta masive, nuk ka mobilizim qytetar, nuk ka presion të organizuar politik. Dhe kjo nuk është rastësi.

Arsyeja kryesore nuk lidhet aspak me mirëpritjen shqiptare ndaj investimeve të huaja, por me paralizën e opozitës dhe kompleksivitetin e saj për të bërë atë që duhet pavarësisht kundër kujt.
Lideri i opozitës shqiptare ndodhet në një pritje politike ekzistenciale; heqjen e “non grata”-s amerikane. Në këtë kontekst, çdo protestë e madhe kundër një projekti të lidhur drejtpërdrejt me rrethin e Trump do të ishte politikisht e rrezikshme për të. Jo vetëm që do të binte ndesh me strategjinë e tij të rehabilitimit ndërkombëtar, por do të dërgonte sinjale të gabuara pikërisht tek ata aktorë nga të cilët shpreson një falje politike.

Kështu, në vend të protestës, opozita ka zgjedhur foltoren para kryeministrisë, duke mbledhur çdo të hënë një grusht njerëzish me të cilët jo vetëm nuk tremb askënd, por tregon çdo herë se sa e pafuqishme është. Dhe pikërisht në këto kohë të trazuara politike e tepër të favorshme për të, opozita, në vend të kauzës publike, ka zgjedhur kalkulimin personal të liderit të saj.

Bloomberg e thotë qartë se projekti i Sazanit është “i errësuar nga skandale lokale”, por këto skandale nuk përkthehen në reagim qytetar, sepse nuk ka kush t’i artikulojë politikisht dhe nuk ka kush ta udhëheqë popullin në protesta. Ndryshe nga Serbia, ku opozita e përdori projektin Kushner si simbol të abuzimit me pushtetin, në Shqipëri opozita është e zënë me mbijetesën e liderit të saj. /Zoom.al

Postime të lidhura