Aplikacion
Emigrimi në Greqi- “Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Europian dhe na u desh të ecnim për tre ditë para se të mbërrinim në Greqi. Nuk kishim para dhe morëm borxh 15.000 euro që për në Shqipëri janë shumë, pasi rrogat nuk shkojnë më shumë se 300 apo 400 euro në muaj. U larguam drejt Greqisë për një jetë më të mirë. Kjo eksperiencë është edhe pika ime më e fortë sepse më bën të vlerësoj momentin në të cilin gjendem aktualisht. Nuk mund të kthehem tek ajo jetë, familja ime nuk kishte asgjë dhe ishte një jetë shumë e vështirë. Të luaja futboll në Greqi ishte e vështirë për mua, pasi më duhej të punoja për të mbështetur familjen. Punonim në të zezë, pa një kontratë pasi nuk kishim letra. Kam bërë shumë punë. Gjeja forcë te familja ime sepse sakrifikonim shumë dhe unë e dija se e vetmja mënyrë për të dalë nga ajo situatë ishte futbolli”.
Rikthimi në Shqipëri- “Nuk kishim shtëpi, para, nuk kishim asgjë. Por, nuk i humba shpresat. Një ditë isha duke vrapuar në orën gjashtë të mëngjesit, ishte ftohtë dhe hunda më ishte skuqur. I thashë vetes se një ditë do të bëhesha i madh. Besoja gjithnjë te vetja ime”.
Firma me Apoloninë për 2000 euro dhe më pas firma me Laçin e transferimi në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit- “2000 euro nuk janë asgjë. Më pas me Laçin arrita kualifikimin në Europë ndërsa Lokomotiva ishte një trampolinë për lojtarët e rinj. Stërvitesha shumë pasi e dija mirë synimin që kisha në jetë. Asgjë nuk më bënte që ta humbisja fokusin, kam punuar shumë për të qenë ky që jam”.
Firma me Ferencvaros dhe ndeshja në Champions me Juventusin e Ronaldos- “Ronaldo është një shembull për mua. Të gjithë e dinë sakrificën e tij për të arritur në ato nivele, mentaliteti është më i rëndësishmi. E kisha ndjekur gjithnjë Ronaldon nëpërmjet televizionit, ta kisha përballë ishte një ndjesi e jashtëzakonshme. Në atë ndeshje shënova edhe gol dhe për mua ishte një ëndërr e bërë realitet”.
Granada- “Jam shumë i lumtur dhe krenar, janë shumë vite sakrificë. Më në fund jam aty ku e meritoj. Granada më hapi dyert e një kampionati si LaLiga, bëri ëndrrën time realitet. E kam vlerësuar shumë ndihmën dhe mbështetjen dhe nuk i harroj kurrë ata që më shtrijnë dorën. Nuk më është dashur shumë kohë të përshtatem, futbolli ka gjuhën e vetë. Gjithashtu, zotëroj katër gjuhë dhe të mësoja spanjisht nuk ishte e vështirë”.
Sekreti i një sezoni fantastik- “Nuk ka asnjë sekret, e gjitha ka të bëjë me sa kohë harxhon duke punuar, duke u stërvitur. Të gjithë e dinë sa shumë e dua unë futbollin, jetoj për futbollin. Në çdo skuadër që luaj, dua që të bëj histori. Kam bërë diferencën edhe te Granada, por nuk jam kurrë i kënaqur. Dua të arrij më shumë”.
Merkato- “Në futbollin e sotëm janë të paktë futbollistët që kanë aftësi të shënojnë shumë gola. Përjashtim bëjnë Osimhen, Haaland dhe kur dikush shënon shumë zgjon interesin e klubeve të tjera. E di që nëse vazhdoj të shënoj gola për Granadën do të ketë shumë telefonata. Por, unë mbetem i përqëndruar te e tashmja. Jam i përqëndruar 100 % te Granada dhe objektivat.
Ajo që mund të them se nëse beson tek vetja, asgjë nuk është e paarritshme. Kjo ka qenë ëndrra ime më e madhe, të luaj në një ligë të fortë dhe të luaj për Shqipërinë”, u shpreh Uzuni. /zoom.al/
SPAK rrëzon pretendimet e Berishës: Alfred Dedja nuk ishte dëshmitar i vrasjes së Jan Prengës