zoom

Bota

Lufta në Gaza/ Turqia ndalon tregtinë me Izraelin! Tel Aviv: Erdogan po vepron si diktator

Turqia ka pezulluar të gjithë tregtinë me Izraelin për shkak të ofensivës së saj në Palestinë, duke përmendur “tragjedinë e përkeqësuar humanitare” në rripin e Gazës.

Ministria turke e tregtisë tha se masat do të jenë në fuqi derisa Izraeli të lejojë fluks të pandërprerë dhe të mjaftueshëm ndihme në Gaza.

Tregtia midis dy vendeve ishte me vlerë pothuajse 7 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Ministri i Jashtëm i Izraelit akuzoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan se po vepron si një “diktator”.

Israel Katz tha në X se zoti Erdogan “po shpërfillte interesat e popullit dhe biznesmenëve turq dhe po injoronte marrëveshjet tregtare ndërkombëtare”.

Ai shtoi se kishte udhëzuar ministrinë e jashtme të gjente alternativa për tregtinë me Turqinë, me fokus në prodhimin vendas dhe importet nga vendet e tjera.

Në një deklaratë, Turqia tha se pezullimi i tregtisë mbulonte “të gjitha produktet”.

“Turqia do t’i zbatojë me rigorozitet dhe vendosmëri këto masa të reja derisa qeveria izraelite të lejojë një rrjedhë të pandërprerë dhe të mjaftueshme të ndihmave humanitare në Gaza.”

Në vitin 1949, Turqia ishte vendi i parë me shumicë myslimane që njohu Izraelin. Por marrëdhëniet janë përkeqësuar në dekadat e fundit.

Në vitin 2010, Turqia ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin pasi 10 aktivistë turq pro-palestinezë u vranë në përleshjet me komandot izraelite që hipën në një anije në pronësi turke duke u përpjekur të thyenin bllokadën detare të Izraelit në Rripin e Gazës.

Marrëdhëniet u rivendosën në vitin 2016, por të dy vendet dëbuan diplomatët kryesorë të njëri-tjetrit dy vjet më vonë në një mosmarrëveshje mbi vrasjen e palestinezëve nga Izraeli mes protestave në kufirin Gaza-Izrael.

Erdogan është bërë gjithnjë e më i ashpër në kritikat e tij ndaj Izraelit që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar.

Në janar, ai tha se ofensiva ushtarake që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nisi si kundërpërgjigje ishte “jo më pak se ajo që bëri Hitleri”