zoom

Bota

The Economist: Si po përpiqet Meloni të ndikojë në televizionin shtetëror RAI

Antonio Scurati, është një nga shkrimtarët italianë. Romani i tij historik “M: Biri i Shekullit” fitoi çmimin Strega, çmimi më prestigjioz letrar i Italisë dhe është përkthyer gjerësisht. Ishte i pari në një seri që përshkruan ngritjen dhe rënien e diktatorit fashist të Italisë, Benito Musolini.

Kështu që Scurati ishte një zgjedhje e qartë për të mbajtur një fjalim në Rai, rrjetin e transmetimit publik të Italisë, përpara 25 prillit, festës publike që shënon çlirimin e vendit nga fashizmi në 1945. Por Scurati nuk arriti ta mbante kurrë fjalimin pasi Rai e anuloi. Scurati tha se kjo ishte për shkak se ai ishte kritik ndaj Giorgia Melonit dhe refuzimit të saj për të mohuar të kaluarën e saj fashiste. Rai tha se arsyeja ishte se kishte kërkuar një tarifë shumë të lartë.

Zonja Meloni u përgjigj me taktin e saj të zakonshëm, duke pretenduar se nuk e dinte se kush kishte të drejtë dhe publikoi tekstin e fjalimit të Scuratit në faqen e saj në Facebook. Jo se ishte e nevojshme sepse tashmë ishte publikuar në shtyp, prej nga u bë virale në rrjetet sociale. Debati shpërtheu në sfondin e një fushate nga mbështetësit e Melonit për të korrigjuar atë që ata e shohin si paragjykim të krahut të majtë të Rait. Pararendësit neofashistë të partisë së saj, Vëllezërit e Italisë (Fratelli d’Italia, fdi), u trajtuan prej kohësh si të dëbuar politikë.

“Shumë prej tyre janë të mendimit se tani është koha për hakmarrje,” thotë Gianni Riotta, i cili jep leksione në Luiss, një universitet kryesor në Romë. Për kritikët, aktivitetet tregojnë se zonja Meloni, e cila deri më tani ka ndjekur një kurs përgjithësisht pragmatik, është një ‘ujk në petkun e deleve’: se qëllimi i saj afatgjatë është të çojë Italinë në një rrugë të shkelur tashmë nga Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili praktikisht ka përjashtuar kritikat ndaj qeverisë së tij nga mediat publike.

Duke reaguar ndaj një polemike të mëparshme mbi rregullat për mbulimin e zgjedhjeve europiane, sindikata kryesore që përfaqëson gazetarët e Rai tha se qeveria ishte e vendosur ta përdorte atë si “megafonin” e saj. Transmetuesi publik italian nuk e ka arritur kurrë pavarësinë e BBC-së britanike apo amerikane. Deri në vitet 1990, secili prej tre kanaleve televizive i ishte caktuar njërës prej partive kryesore. Që atëherë, çdo qeveri e njëpasnjëshme është përpjekur ta mbushë me mbështetësit e saj.

Pasojat kanë qenë gjithmonë më drastike nëse qeveria e ardhshme anon nga e djathta, siç bën tani: meqenëse tre kanalet më të mëdha private janë pjesë e rrjetit Mediaset, i themeluar nga konservatori Silvio Berlusconi, e djathta arrin një lloj monopoli mbi atë që vendi sheh në ekran. Megjithatë, ndjekësit e Melonit duken të vendosur për ta shfrytëzuar këtë avantazh në një shkallë të paprecedentë. Udhëzimet zgjedhore të Parlamentit Europian për Rai do t’u lënë më shumë kohë transmetimi ministrave sesa përfaqësuesve të opozitës.

Teksti i miratuar nga komisioni parlamentar, i cili mbikëqyr korporatën, thotë se ndarja e zakonshme proporcionale e kohës mund të anashkalohet në emër të “garantimit të informacionit në kohë mbi aktivitetet institucionale dhe qeveritare”. Madje është sugjeruar se kjo do të thotë se ministrat mund të jenë në gjendje të flasin për aq kohë sa të duan në emisionet e Rait. Thënë kështu, të paktën dy faktorë qëndrojnë në rrugën e një monopolizimi të stilit hungarez ku e para është nevoja për të shfaqur programe që publiku do të shikojë.

Tashmë disa personazhe kryesorë televizivë janë larguar nga Rai për në kanale private që nuk i përkasin familjes Berlusconi, numri i të cilave po rritet. Një sfidë e dytë paraqitet nga vëllimi i madh i mediave bashkëkohore. Të rinjtë italianë në veçanti kanë më shumë gjasa të përdorin TikTok ose Instagram sesa të shikojnë Rai ose Mediaset. Dhe gjithsesi, ndikimi i dy gjigantëve italianë ka qneë gjithmonë i diskutueshëm.

“Silvio Berlusconi humbi dy zgjedhje,” vëren Riotta. “Dhe në çdo rast, ai kontrollonte Mediaset dhe Rai.”