Aplikacion
Një shqiptar ka rënë në prangat e policisë në Maltë, nën akuzë për një krim të rëndë, ku viktima kanë mbetur dy persona.
36-vjeçari Ledjon Brakaj dyshohet se ka vrarë dy persona dhe u ka vënë flakën trupave të tyre, pasi u ka grabitur 780 mijë euro në Greqi. Ai u arrestua në Maltë, fill sapo autoritetet greke lëshuan një urdhër-arresti evropian në mars.
Krimi i rëndë për të cilin ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2015, në ishullin grek Aegina. Irini Marmarino, e cila drejtonte një biznes suvenirësh në Aegina, u gjet e vdekur së bashku me nipin e saj Lambros Protonotarios brenda shtëpisë së saj.
Të dy viktimat ishin torturuar para se të vriteshin. Nga autopsia doli në përfundimin se autori i rrahu aq ashpër dy viktimat, sa u shkaktoi atyre fraktura në të gjithë trupin dhe më pas, ndërsa ata ende po merrnin frymë, u vunë flakën.
Nga hetimet rezultoi se Marmarino kishte tërhequr pak kohë më parë kursimet e saj të jetës, që arrinin në rreth 800 mijë euro, raportojnë mediat greke.
Megjithatë, avokatët mbrojtës pretendojnë se policia ka arrestuar njeriun e gabuar, me argumentin se emri i klientit të tyre nuk përputhet me atë në urdhër-arrestin. Brakaj u shoqërua në gjykatë pasditen e së shtunës, teksa autoritetet nisën procedimin për ekstradimin e tij në Greqi, për t’u përballur me akuzat penale.
Avokatët mbrojtës të Brakajt hodhën dyshime se klienti i tyre nuk ishte në të vërtetë personi për të cilin ishte lëshuar urdhër arresti.
“Urdhër-arresti evropian i referohej emrave të ndryshëm”, thanë ata.
Avokatët mbrojtës vunë re gjithashtu se ndërsa oficerët e policisë i kishin marrë shenjat e gishtave Brakajt, ata nuk i kishin paraqitur ato gjurmë në gjykatë si provë.
Megjithëse mbrojtja kundërshtoi çështjen e identitetit, gjykata, e kryesuar nga magjistrati Noel Bartolo, deklaroi se çështja do të vazhdonte. Brakaj nuk ka paraqitur kërkesë për lirim me kusht dhe ka heshtur gjatë gjithë seancës. Seanca vijon javën e ardhshme./ Zoom.al