zoom

Aktualitet

Tritolin mund ta ketë vënë vetë për të kërkuar azil? Elton Debreshi: Kisha plan të shkoja në Gjermani ose Francë

Elton Debreshi është pyetur nga policia e Bulqizës për konfliktet e mundshme që ai mund të ketë, prej të cilave mund të ketë ardhur edhe vënia e tritolit në makinën e tij.

Por kandidati i pavarur për deputet, i mbështetur nga “Organizata Politike”, ka mohuar të ketë pasur konflikte. “Nuk kam dyshime te persona konkretë”, ka thënë ai.

Por para oficerëve të policisë ai ka pohuar se kishte planifikuar të ikte jashtë vendit. “Kisha plan të shkoja në Gjermani ose në Francë”, shkruhet në deklaratën e dhënë në polici.

Blutë e Bulqizës arrestuan vëllain e tij, Alfred Debreshin, si personin që dyshohet se ka vendosur eksplozivin. Por policia nuk përjashton që gjithçka të jetë bërë në bashkëpunim, ose që Elton Debreshi ta ketë vënë vetë tritolin, me qëllim që të përfitojë azil në një nga vendet e BE, duke qenë se ai dështoi në politikë.

“Fakti që ai e ka pohuar se kishte plan të largohej, i përforcon dyshimet e hetuesve në këtë drejtim”, pohoi një burim i policisë për Zoom.al.

Për më tepër dy vëllezërit janë përgjuar duke biseduar në telefon se si do ta deklaronin ngjarjen në polici.

Debreshi ka thënë se mund të ketë qenë edhe një formë presioni për shkak të denoncimeve që ai ka bërë për minierat. Por policia nuk ka gjetur asnjë lidhje në këtë pistë. /Zoom.al