zoom

In Zoom

Shthurja e Thurjes!

Ajo që mendohej se do ishte një ndeshje politike interesante midis dy minatorëve, Selim Lela nga Nisma Thurje dhe Elton Debreshi, i mbështetur nga Organizata Politike, përfundoi në një farsë.

Nisma Thurje kishte disa ditë që përleshej në Facebook me mbështetësit e Organizatës Politike dhe kandidatit Elton Debreshi pasi akuzohej se po tentonte përçarjen e votave të Dibrës duke bërë lojën e partive politike.

Ndërkohë që Nisma Thurje tregonte histori sesi kishte dashur të përfshinte edhe Debreshin në listat e tyre, ky i fundit i fundosi duke u thënë publikisht (pikërisht në statusin ku po prezantonin kandidatin) që kanë qenë të pranishëm vetëm për një foto në Bulqizë dhe s’janë interesuar më shumë sesa aq.

Pasi Thurja u përlesh për plot dy ditë në rrjete sociale me të gjithë, Selim Lela doli dhe foli nga Facebook i tij duke i tërhequr fillin që e shthuri intrigën e Thurjes.

Kandidati i prezantuar me pompozitet nga ana e Nismës Thurje i akuzoi drejtuesit e saj se i kanë marrë emrin dhe e kanë vendosur në listën e kandidatëve pa e pyetur.

Në një sqarim të gjatë në profilin e tij Selim Lela ka treguar që s’kishte pasur ndonjëherë ndër mend të kandidonte. Madje ai ka shtuar që do mbështesë kandidatin tjetër, kolegun e tij Debreshi.

Tashmë Nisma Thurja mbetet të shikojë edhe një herë listat me kujdes dhe të tentojë që të shpërndajë vëmendjen për shthurjen e kësaj nisme që me gjithë zërin e lartë, ka mbetur si një avion që uturin më kot në pistë, pa mundur të ngrihet ndonjëherë lart, pasi nuk mundi të bëhej kurrë një projekt serioz. ©Zoom.al