Aplikacion
Zhurmës së krijuar mbëmjen e kaluar se kryetari i PSD-së dhe ish -deputeti Tom Doshi ishte arrestuar, i është shtuar sot edhe zëri i liderit të opozitës. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha shkruan në rrjetet sociale Doshi është arratisur nga vendi. Sipas Berishës, Doshi, për të cilin flitej se do të arrestohej me urdhër të SPAK-ut “ia ka mbathur”, pasi “është urdhëruar t’ia mbathë”.
“Toma ia mbathi!
Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur.Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit” – shkruan Berisha.
Kreu i PSD, Tom Doshi u paraqit të martën e 21 tetorit në ambientet e SPAK, por ende nuk asnjë detaj publik për “vizitën” e tij atje.
Përballë gazetarëve, ai tha me humor, duke ironizuar dhe ish-kolegun e tij socialist, Erion Veliajn, se ishte pyetur “për një çështje që s’ka lidhje me mua, kolegët siç ka thënë Erioni të thërrasin edhe për çështje që s’kanë lidhje me ty…”.
Tom Doshi është paraqitur disa herë në SPAK muajt e fundit. Ai ka deklaruar se po hetohet për një çështje në lidhje me zgjedhjet në Rrogozhinë, ndërsa SPAK nuk ka bërë asnjë sqarim në lidhje me marrjen në pyetje të tij.
Tom Doshi ka qenë deputet me PS për tri mandate, 2005, 2009, 2013. Ndërkohë edhe pse garoi në zgjedhjet parlamentare të 2021 si kryetar i PSD, ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar më 25 prill 2021. Por në zgjedhjet e 11 majit, Doshi doli fitues por la mandatin si përfaqësues në qarkun e Shkodrës.
Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia ndaluan udhëtimin në Amerikë atij dhe familjes, për shkak “të përfshirjes në korrupsion të përmasave të gjera.” /Zoom.al