Aplikacion
Një furtunë financiare ka nisur në Budapest, pas goditjes që qeveria e re e kryeministrit Peter Magyar po u jep bizneseve që kanë mbajtur në këmbë për 16 vjet me radhë qeverinë e Viktor Orban.
Në qendër është kompania telefonike 4iG, e konsideruar për vite me radhë si portofoli financiar i ish-kryeministrit Orban. Vendimi i papritur për të bllokuar një kredi prej 16 miliardë eurosh nga Komisioni Europian ka vënë në alarm jo vetëm tregun hungarez, por edhe atë shqiptar, ku 4iG kontrollon operatorin One Albania.
Sipas një investigimi të Euronews, Partia Tisza e kryeministrit Magyar ka njoftuar rishikimin e menjëhershëm të kredisë gjigante që qeveria në largim kishte planifikuar për sektorin e mbrojtjes. Burime brenda qeverisë hungareze konfirmojnë se pjesa dërrmuese e këtyre fondeve ishte paracaktuar të përfundonte në llogaritë e 4iG, e cila vitet e fundit kishte privatizuar segmente kyçe të industrisë ushtarake përmes procedurave korruptive.
“Ne do të marrim vendime bazuar në nevojat reale dhe vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit,” tha një burim pranë Magyar, duke lënë të kuptohet se 4iG tashmë klasifikohet si një subjekt me “reputacion të damkosur”.
Investigimet e mëparshme të Zoom.al kanë hedhur dritë mbi një trekëndësh të fortë interesash mes qeverisë Orben, kompanisë 4iG dhe OTP Bank. Në Shqipëri, binomi 4iG – OTP kontrollon pjesë jetike të tregut, njeri në telekomunikacion dhe tjetri në sektorin bankar.
Sipas të dhënave të siguruara nga Zoom.al, OTP Bank ka luajtur rol kyç në financimin e ekspansionit të 4iG në Ballkan. Megjithatë, me nisjen e hetimeve për korrupsion nga qeveria Magyar, ky bashkëpunim është nën vëzhgim të rreptë. Mediat hungareze, si kontroll.hu, spekulojnë se nëse 4iG shkon drejt falimentit për shkak të bllokimit të fondeve, ekspozimi i OTP Bank ndaj kësaj kompanie mund të krijojë një efekt domino që do të prekte edhe filialet në Tiranë.
LEXO EDHE: https://zoom.al/a-do-ti-mbijetoje-otp-bank-termetit-te-renies-se-viktor-orban/
Situata për One Albania duket kritike. Bilanci i fundit i vitit 2024 tregon se operatori celular ka një varësi ekstreme nga grupi mëmë: 9.1 miliardë lekë (rreth 96 milionë euro) janë hua që One i ka marrë 4iG.
Me 4iG që po shkon drejt paralizës financiare në Hungari, burimet e financimit për One Albania po shterojnë. Për më tepër, përpjekjet e One për të marrë një kredi të re në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë vështirësuar. Ekspertët paralajmërojnë se sektori bankar vendas duhet të jetë i kujdesshëm; një financim i mëtejshëm për një kompani me reputacion të dyshimtë dhe në prag të kolapsit në vendin e saj të origjinës, mund të kthehet në një rrezik sistemik për Shqipërinë.
Zhvillimet në Budapest janë një mesazh i qartë për tregun shqiptar. Rënia e Viktor Orban po çmonton me shpejtësi rrjetin e kompanive që u rritën përmes favoreve politike. Për One Albania dhe partnerët e tyre financiarë si OTP Bank, koha e “parave të buta” të Budapestit ka përfunduar, duke lënë pas një gropë borxhesh dhe hetime ligjore që mund të tronditin themelet e telekomunikacionit në Shqipëri. © Zoom.al – Ndalohet riprodhimi i plotë pa cituar burimin.