zoom

Bota

Tensione në Hormuz/ Anijet iraniane sfidojnë bllokadën amerikane. Reagon Kina

Tensione në Hormuz/ Anijet iraniane sfidojnë bllokadën amerikane. Reagon Kina

Situata në Lindjen e Mesme vijon të mbetet e tensionuar, teksa disa zhvillime të fundit tregojnë për një përshkallëzim të rrezikshëm mes fuqive të mëdha. Katër anije të lidhura me Iranin kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht paralajmërimeve dhe bllokadës detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të monitorimit detar, disa prej këtyre mjeteve kishin ndaluar më parë në porte iraniane, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzim të situatës në një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë.

Nga ana tjetër, Kina ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme. Autoritetet kineze paralajmërojnë se ndërhyrje të tilla mund të përkeqësojnë situatën dhe të cenojnë sigurinë e lundrimit në rajon.

“Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar operacionet ushtarake dhe kanë ndërmarrë një bllokadë të synuar, e cila vetëm sa do të përkeqësojë tensionet dhe do të minojë marrëveshjen tashmë të brishtë të armëpushimit, duke rrezikuar më tej sigurinë e kalimit nëpër Ngushticë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, në një konferencë për shtyp.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike vazhdojnë. Pakistani ka propozuar organizimin e një raundi të ri bisedimesh mes SHBA-së dhe Iranit, me synim uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të negociuar.

Në të njëjtën kohë, në Uashington priten bisedime mes përfaqësuesve të Izraelit dhe Libanit, një hap i pazakontë duke qenë se dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Megjithatë, organizata Hezbollah ka deklaruar se nuk i njeh këto negociata dhe nuk do të respektojë asnjë marrëveshje që mund të arrihet.

Ndërkohë, diskutimet për programin bërthamor iranian vijojnë. Irani ka propozuar një pezullim të aktivitetit për disa vite, ndërsa SHBA kërkon një periudhë shumë më të gjatë./ Zoom.al

Postime të lidhura