Aplikacion
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi ushtria amerikane ka njoftuar vendosjen e një bllokade ndaj trafikut detar që lidhet me portet iraniane, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, masa do të hyjë në fuqi nga mëngjesi i së hënës dhe do të prekë të gjitha anijet që hyjnë ose dalin nga portet e Iranit, përfshirë zonat në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit.
Megjithatë, është bërë e ditur se anijet që kalojnë tranzit në Ngushticën e Hormuzit pa u ndalur në portet iraniane nuk do të ndalohen.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se forcat amerikane do të ndërhyjnë edhe ndaj mjeteve detare në ujërat ndërkombëtare që kanë kryer pagesa ndaj Iranit.
Ai shtoi se marina amerikane do të nisë gjithashtu operacione për çminimin e zonave ku dyshohet se janë vendosur mina detare.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane e kanë dënuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një akt piraterie. Në reagimet zyrtare, Teherani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet dhe se do të vijojë të ushtrojë kontroll mbi ngushticën strategjike edhe në të ardhmen.
Në një deklaratë të shpërndarë nga media shtetërore, Irani thekson se anijet e lidhura me vendet që i konsideron armiq nuk do të lejohen të kalojnë në ujërat e tij territoriale. Po ashtu, zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se nëse preken portet e tyre, siguria në të gjithë rajonin do të vihet në rrezik.
Ndërkohë, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka paralajmëruar pasoja ekonomike për SHBA-në, duke lënë të kuptohet se çmimet e energjisë mund të rriten ndjeshëm për konsumatorët amerikanë.
Si reagim i menjëhershëm ndaj situatës, tregjet globale kanë reflektuar tensionin: çmimi i naftës është rritur me mbi 7%, duke kaluar nivelin e 100 dollarëve për fuçi, çka sinjalizon ndikimin e drejtpërdrejtë të krizës në ekonominë botërore./ Zoom.al