Aplikacion
Autoritetet iraniane kanë konfirmuar se qarkullimi detar në Ngushticën e Hormuzit do të vijojë pa pengesa për të gjitha anijet tregtare gjatë periudhës së mbetur të armëpushimit në rajon.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, bëri të ditur se kjo lëvizje është në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit.
Sipas tij, kalimi në këtë rrugë strategjike është tashmë plotësisht i hapur dhe i koordinuar me autoritetet përkatëse detare të vendit.
Araghchi theksoi se vendimi është marrë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për transportin dhe portet, duke garantuar siguri dhe lëvizje të lirë për flotat tregtare ndërkombëtare.
“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, sipas korridorit të koordinuar siç është njoftuar më parë nga Organizata e Porteve dhe ajo Detare e Republikës Islamike të Iranit”, shkroi ministri iranian në rrjetin social./ Zoom.al