zoom

Lajme

Tension pas Inter–Atalanta/ Gjimshiti përplaset me trajnerin serb, e fton në duel tek dhomat e zhveshjes

Tension pas Inter–Atalanta/ Gjimshiti përplaset me trajnerin serb, e fton në duel tek dhomat e zhveshjes

Ndeshja e fundjavës mes Interit dhe Atalantës përfundoi me tension, ku në përplasjet pas sfidës u përfshi edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Mbrojtësi i Atalantës nuk i kursyej fjalët ndaj zëvendëstrajnerit serb të Interit, Aleksandar Kolarov.

Ngjarja nisi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kur Kolarov hyri në fushë për t’i kërkuar shpjegime gjyqtarit. Ai shtyu lojtarin e Atalantës, De Roon, i cili iu përgjigj me tension, ndërsa Gjimshiti ndërhyri fillimisht për t’i ndarë.

Megjithatë, situata u përshkallëzua dhe shkëndija u krijua mes Kolarov dhe Gjimshitit, duke rrezikuar një përleshje fizike. Pjesëtarët e të dy skuadrave ndërhynë për të shmangur ndonjë incident më të madh.

Gjimshiti nuk u tërhoq dhe madje i ftoi Kolarov për një duel në dhomat e zhveshjeve, para se të largohej nga terreni i stadiumit “San Siro”.

Ngjarja ka nxitur reagime në mediat sportive italiane, duke rikujtuar se tensionet pas ndeshjeve mbeten një sfidë për disiplinën në fushë edhe mes lojtarëve të përvojës.