zoom

Aktualitet

“Të bëjmë sikur s’njihemi” – Zbardhen përgjimet, si i transportonte grupi i Igli Kamberit paratë me kamionë dhe çanta rrobash

“Të bëjmë sikur s’njihemi” – Zbardhen përgjimet, si i transportonte grupi i Igli Kamberit paratë me kamionë dhe çanta rrobash

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet ndaj grupit kriminal të lidhur me shqiptarin Igli Kamberi, emri i të cilit doli si koka e një grupi që merrej me trafik droge dhe pastrim parash, gjatë një operacioni të zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe italiane.

Sipas dosjes hetimore, grupi dyshohet se përdorte një skemë të organizuar për transportimin e shumave të mëdha monetare përmes shoferëve të kamionëve dhe autobusëve të linjave ndërkombëtare. Hetuesit thonë se kjo metodë përdorej për të shmangur kontrollet doganore dhe për të fshehur origjinën e parave.

Në dokumente theksohet se shoferët përzgjidheshin mbi bazën e besimit të krijuar me organizatën kriminale dhe paguheshin me përqindje për transportimin e parave cash.

Një nga episodet kyçe të hetimit lidhet me 22 tetorin e vitit 2024, kur autoritetet italiane kanë dokumentuar dorëzimin e një sasie të konsiderueshme parash të fshehura në çanta me rroba të përdorura. Sipas hetimeve, paratë iu dhanë shoferit shqiptar të kamionit, Sokol Fusha, nga shtetasja italiane Annamaria Lamia Caputo.

Takimi është monitoruar përmes përgjimeve audio-video dhe kamerave të sigurisë në një pikë karburanti në autostradën SS100 në Itali. Automjeti i përdorur nga Caputo rezultonte nën vëzhgim të vazhdueshëm nga hetuesit.

Në dosje përmendet edhe komunikimi mes Caputo-s dhe Ergys Kastratit, i cili dyshohet se koordinonte lëvizjet dhe vendtakimet. Në një prej mesazheve zanore, një person i kërkon gruas që “kur të arrijnë, të bëjnë sikur nuk njihen”, detaj që sipas prokurorëve tregon nivelin e organizimit dhe kujdesin për të shmangur dyshimet.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu praninë e automjeteve të tjera që dyshohet se përdoreshin për mbështetjen logjistike të operacionit, ndërsa lëvizjet janë dokumentuar përmes GPS-it dhe kamerave të sigurisë.

Sipas autoriteteve, skema ishte pjesë e një rrjeti të strukturuar për transferimin dhe pastrimin e parave të përfituara nga aktivitetet kriminale në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Gjatë operacionit të zhvilluar pak ditë më parë në Shqipëri dhe Itali u arrestuan 12 persona, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në fokus të hetimeve është edhe një vrasje e ndodhur më herët në Itali, e cila sipas autoriteteve ka shërbyer si pikënisje për zbërthimin e aktivitetit kriminal të grupit.

Bëhet fjalë për vrasjen e berberit italian Francesco Diviesti, i cili u vra një vit më parë dhe trupi i tij u dogj në një zonë të izoluar të Alta Murgias./ Zoom.al

Postime të lidhura