Aplikacion
Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja nga operacioni i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe SPAK, në kuadër të të cilit janë ekzekutuar 14 masa sigurie.
Mes personave të arrestuar ndodhen edhe Ergys Kastrati, i njohur me nofkën “Bishja”, si dhe Igli Kamberi, ky i fundit i arrestuar në Hungari për llogari të autoriteteve italiane.
Operacioni lidhet me hetimet për vrasjen e të riut italian Francesco Diviesti, por edhe me një rrjet të dyshuar të pastrimit të parave që dyshohet se operonte mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, një prej të dyshuarve është lënë në arrest shtëpie, tre të tjerë janë vendosur nën masën “detyrim paraqitjeje”, ndërsa pjesa tjetër është dërguar në burg.
Hetuesit dyshojnë se organizata kriminale vepronte në mënyrë të strukturuar në të dy anët e Adriatikut, me bazë në Tiranë dhe me aktivitet kryesor transferimin e paligjshëm të shumave të mëdha të parave nga Italia drejt Shqipërisë.
Sipas autoriteteve italiane, skema e dyshuar e pastrimit të parave lidhet edhe me hetimet për vrasjen e Francesco Diviestit, ngjarje e ndodhur më 25 prill 2025.
26-vjeçari, i cili punonte si berber në qytetin e Barletta së bashku me të atin, ishte zhdukur mbrëmjen e 25 prillit, pasi kishte dalë nga banesa rreth orës 20:30.