zoom

In Zoom

Tallja e Autoritetit të Konkurrencës. Heton monopolin e taksive të Rinasit, jo atë të Aeroportit

Autoriteti i Konkurrencës (AK) , një organ publik që ka për qëllim mbrojtjen e konkurrencës së lirë në treg, njoftoi pak ditë më parë se ishte shqetësuar për monopolin e shërbimit taksi në Aeroportin e Rinasit.

Ky institucion, i drejtuar nga Denar Biba, tha se kishte nisur një hetim për këtë rast. Bëhet fjalë për taksitë që çojnë qytetarët nga Tirana në aeroportin Nënë Tereza dhe anasjelljtas.

“Shoqëria e shërbimit taksi nga Rinasi është denoncuar vazhdimisht për çmimet e kripura që ofron”, thuhet në njoftimin e AK (LEXO KETU).

Iniciativa është për t’u përshëndetur, pasi besohet se ajo mund të çojë në uljen e tarifës.

Por “mopoli” i shërbimit taksi është i papërfillshëm përballë monopolit të aeroportit.

Aeroporti i Rinasit i është dhënë me koncesion shoqërisë “Kastrati Group”. Po kjo shoqëri ka marrë me koncecion edhe aeroportin e Kukësit. Këta janë dy aeroportet e vetëm në Shqipëri.

Në këto kushte, konkurrenca është zero. Kompania koncesionare mund të vendosë tarifat aeroportuale që dëshiron në të dyja aeroportet.

Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë aeroportit dhe të merret me 1 mijë e 500 lekëshat e taksive që bëjnë Tiranë – Rinas, vajtje – ardhje.

Ky veprim i AK-së së Denar Bibës, më së paku është një tallje e madhe me shqiptarët dhe shpërdorim i misionit për të cilën është ngarkuar me ligj.

Nëse duhen hetuar monopolet, shërbimi aeroportual është aktualisht një ndër momopolet më të mëdha në vend.

Vitin e kaluar në Aeroportin e Tiranës kaluan 5.2 milionë pasagjerë. Sipas kontratës, koncesionari merr 10 euro për çdo pasagjer mbi 12 vjec. Të ardhurat vetëm nga kjo tarifës përllogariten në afro 50 milionë euro.

Koncesioni i aeroportit të Tiranës u shty në 20 vjet për t’i dhënë mundësi kompanisë që të bëjë 100 milionë euro investime dhe për ta shfrytëzuar që të marrë investimin e kryer dhe një pjesë të fitimit.

Por të dhënat e deritanishme tregojnë se 100 milionët që do t’i investojë, koncesionari mund t’i nxjerrë për 2 apo 3 vjet punë vetëm nga tarifa që merr nga pasagjerët. 18 apo 17 vjet të tjera fitimet ai do t’i ketë të pastra, në afro 500 apo 600 milionë euro.

Autoriteti i Konkurrencës mund të vazhdojë t’i hetojë taksitë e Rinasit, por nëse kërkon monopolet, mjafton të hyjë brenda aeroportit. /Zoom.al