zoom

Aktualitet

Autoriteti i Konkurrencës në Kuvend,Biba: Bordi i naftës nuk na la të hetojmë për abuzime

Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba ka deklaruar se krijimi i Bordit të naftës nga qeveria nja vit më parë, kufizoi hetimin e tyre dhe e bëri të pamundur zbulimin e abuzimeve.
“Ne nuk bëjmë avokati të ministres. Ne i kishim nën hetim karburantet para se të krijohej Bordi. Kur bordi ndërhyri mbeti shumë pak për të bërë ne. Në dy javë kohë që kishim, nuk mund të evidentonim abuzim. Objektivisht e kishim të pamundur të zbulonim shkelje. Çmimet nuk janë objekt i Konkurrencës, në shqyrtojmë sjellje që prodhojnë edhe rritje çmimesh, por edhe elementë të tjerë. Çmimet janë lojë e tregut, jo e qeverisë”, tha kreu i AK-së.

Lidhur me këtë, Biba tha se institucioni që ai drejton është një mjet për të ndaluar kapjen e shtetit nga bizneset monstruoze dhe bllokimi i fuqisë së këtij institucioni quhet kapje e shtetit.

Ngritja e Bordit të karburanteve, i cili vazhdon ende të operojë, është me gjasë, burimi më i madhi debateve publike në vitin e fundit. Opozita ka akuzuar shumë herë ministren e Financave për bashkëpunim me oligarkët e naftës, duke i zhvatur milion euro shqiptarëve, me çmimet e vendosura nga ky Bord.

Edhe vetë socialistët, përfshirë deputetin Erjon Braçe, kanë qenë kritikë ndaj ekzistencës së Bordit, duke thënë se nuk mund të jenë oligarkët ata që vendosin për qytetarët shqiptarë.
Ministrja e Financave dhe ekonomisë, Dalina Ibrahimaj është në cilësinë e kryetarit të bordit. Anëtarë të tjetër janë ministrja përgjegjëse për hidrokarburet, Belinda Balluku, drejtori i përgjithshëm i tatimeve Ceno Klosi, drejtori i përgjithshëm i doganave Gent Gazheli.
Gjithashtu në nivel të lartë drejtuesish nga këto dy ministri janë Niko Lera nga financat dhe Enea Karakçi dhe Ilia Gjermani nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërsa nga shoqëritë e hidrokarbureve janë tre përfaqësues nga shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe dy nga ato të tregtimit me pakicë. Përkatësisht janë : Sezar Beqaj, Artur Llogoni, Agron Bulku, Gerian Kuqi dhe Saimir Krasniqi./Zoom.al