zoom

Lajme

“Taksa e sheshtë 10% është edhe në Bibël e Kuran. Rritje pagash dhe ulje me 40% çmimit të aftës”. Berisha: Pse duhen masat tona fiskale

“Taksa e sheshtë 10% është edhe në Bibël e Kuran. Rritje pagash dhe ulje me 40% çmimit të aftës”. Berisha: Pse duhen masat tona fiskale

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar një sërë masash fiskale që synojnë të mbështesin bizneset dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Gjatë një vizite në një fasoneri në Durrës, ai u shpreh se programi i PD-së do të sjellë lehtësira të mëdha për sipërmarrjen dhe do të ndihmojë bizneset që të rrisin pagat e punonjësve dhe kushet e tyre të punës.

Taksa 10% dhe përfitimet për biznesin

Berisha u shpreh i vendosur për rikthimin e taksës së sheshtë prej 10%, duke e quajtur atë “më të drejtën”. Ai argumentoi se “taksa 10% është taksa më e lashtë. Në Bibël dhe Kuran është taksa 10%, më e drejta. Nuk duhet të synosh t’i marrësh tjetrit më shumë se 10 përqind taksën. Ka një moral njerëzor dhe ne i përmbahemi atij morali.”

Sipas tij, kjo politikë tatimore do të sjellë rritje të të ardhurave në arkën e shtetit, duke sjellë si shembull përvojën e vitit 2005: “Kur e vendosëm taksën e sheshtë në vitin 2005, na thanë se do e pësonim, se do falimentonin financat. Ne e bëmë dhe në fund të 6 muajve, në arkën e shtetit erdhën 300 milionë euro më shumë se sa kishin ardhur me taksat e larta.”

Çmimi i naftës do ulet me 40%

Një tjetër masë e rëndësishme që PD premton është ulja e ndjeshme e çmimit të naftës. “Nafta do tatohet njëlloj sa në Kosovë dhe Maqedoni dhe çmimi i saj do bjerë minimumi me 40 përqind. Kemi çmimin më absurd. Nafta vjen në Durrës me anije, por në Kosovë shitet 30-40% më lirë. Këtu shitet 30-40% më shtrenjtë sepse qeveria e taton naftën 1.1 euro për litër,” – u shpreh Berisha.

Rroga minimale 500 euro dhe karta e konsumatorit

Berisha premtoi gjithashtu vendosjen e pagës minimale prej 500 eurosh, duke siguruar sipërmarrësit se qeveria që do të drejtohet prej tij do të zhvillojë diskutime me ta për të mos krijuar vështirësi ekonomike për bizneset. “Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro, por do kemi një dialog me sipërmarrësit që kjo të mos dëmtojë sipërmarrjet. T’i çosh drejt falimentimit është një marrëzi.”

Një tjetër nismë në programin ekonomik të Partisë Demokratike është “karta e konsumatorit”, e cila, sipas PD, do t’u mundësojë punonjësve me paga të ulëta dhe pensionistëve të rimarrin TVSH-në e produkteve bazë. “Punonjësit me rroga të ulëta 500 euro do kenë kartën e konsumatorit. Ju do merrni TVSH-në e të gjitha gjërave bazë që blini nga shteti. Kjo shkon në 450 euro në vit, përafërsisht sa një rrogë,” – tha Berisha.

Nxitja e lindjeve dhe kthimi i emigrantëve

Për të përmirësuar situatën demografike të vendit, PD synon të vendosë bonuse për fëmijët si shtesë në pagë.
“Shtesa në rrogë për fëmijën e parë nga qeveria do të jetë 70 euro, për të dytin 60 euro, për fëmijën e tretë, nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare, qeveria do marrë përsipër çdo shpenzim. Ne do ndjekim politikën e fëmijës së tretë sepse ne u shkatërruam” – deklaroi kreu i PD.

Gjithashtu, PD premton një politikë nxitëse për kthimin e emigrantëve në vend: “Do bëjmë gjithçka për kthimin e tyre. Pesë vjet do jenë pa asnjë taksë” – thotë Berisha.

Euro dhe ulja e çmimit të energjisë

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Berisha është ndikimi i kursit të euros në eksportet shqiptare.
“Qeveria do kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta.”

Berisha u zotua edhe për uljen e çmimit të energjisë elektrike për bizneset: “Energjia elektrike do paguhet me 6 lekë. Shqipëria do ketë çmimin më të lirë të energjisë në Europë për biznesin.” /Zoom.al

Postime të lidhura