zoom

Aktualitet

Tabela/ Firmosen tarifat e reja për pasaportat dhe kartat e ID, të njëjta me të koncesionarit ALEAT

Nga 1 gushti, çdo qytetar do të mund të marrë kuponat për pasaportat dhe kartat e identitetit në kompaninë shtetërore “IdentiTek”, në çdo zyrë të Postës Shqiptare.

Dhe tarifat e reja të dokumenteve biometrike firmosura nga ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla janë të njëjta me ato të koncesionarit ALEAT.

Siç edhe shihet në tabelë kuponi për kartën e ID do të kushtojë 1.500 lekë, ndërsa për një pasaportë 7.500 lekë.

“IdentiTek” e krijuar nga Këshilli i Ministrave në fillim të këtij viti do të lëshojë dhe dokumentet biometrike për ambasadat, të huajt, refugjatët, ata me status mbrojtje etj.

Dhe data 1 gusht do të shënojë edhe fundin e kontratës së shtetit shqiptar me ALEAT.

Shtetëzimi i “IdentiTek” u paralajmërua nga ministri i shkarkuar Bledi Çuçi në fund të vitit 2022.

Ai deklaroi në atë kohë se do të kishte dhe një rishikim tarifash, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

“Ne do ta rishohim edhe çështjen e tarifave sepse në momentin që kjo kompani apo prodhimi i kartave biometrike do të kalojë në dorë të një kompanie shtetërore shqiptare, është në kopentencën e plotë të kësaj kompanie për të marrë vendimet e duhura në lidhje me tarifat. Dhe kjo gjë do të shihet kur të marrë kompetencën kompania shqiptare. Ju garantoj që për dokumente që janë të detyrueshëm, kemi ndjeshmërinë për të reduktuar tarifat, ndërsa për dokumente që nuk janë të detyrueshëm…Politikisht them se kemi qëllim t’i reduktojmë dhe pse jo mund t’i çojmë në zero, nëse shohim se kjo është e mundur”, tha ish-ministri Çuçi.