Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në seancën plenare, i kërkoi Kryeprokurorit Olsian Çela një hetim të thelluar ndaj sektorit të ndërtimit në kryeqytet, ku sipas saj ekzistojnë shenja të qarta të pastrimit të parave.
Sipas Tabakut, në Tiranë janë miratuar rreth 1.9 milionë metra katrorë leje ndërtimi, një volum i pazakontë që, siç argumenton deputetja, nuk mbështetet as nga kapacitetet financiare të bankave dhe as nga vetë kompanitë ndërtuese.
“Po shohim kompani që aplikojnë e marrin leje për kulla me vlerë deri në 200 milionë euro, ndërkohë që në bilancet e tyre figuron zero. Nuk mjafton të pranojmë se ka raste të dyshimta, duhet të veprojmë”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se raportet e SPAK kanë paralajmëruar se grupet kriminale po përdorin ndërtimet për të futur në qarkullim para të pista dhe se kjo prirje, sipas saj, ka ndikuar edhe në zhvlerësimin e euros në treg.
“Pyetja ime ishte shumë e qartë: A mund të garantojmë transparencë të plotë për burimin e fondeve që investohen në këtë boom ndërtimi? Sot problemi kryesor i ekonomisë është pikërisht pastrimi i parave në ndërtim”, përfundoi deputetja.