zoom

Aktualitet

Pallati i Sportit do të shembet, Tabaku: Abuzim i qeverisë me pronat publike

Pallati i Sportit do të shembet, Tabaku: Abuzim i qeverisë me pronat publike

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas lajmit se Pallati i Sportit “Asllan Rusi” do të shembet për të lënë vend një godine të re.

Ajo e cilëson këtë projekt si një tjetër mashtrim të qeverisë socialiste, duke përdorur fasadën “europiane” për të justifikuar abuzimet me pronat publike përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare (KIS).

“Një projekt që në pamje duket europian, por pas fasadës fshihet një histori që shqiptarët e njohin mirë: Korporata e Investimeve Shqiptare, një tjetër marifet socialist për të abuzuar me pronat publike”, shkruan Tabaku.

Ajo thekson se KIS është kthyer në një institucion pa kontroll parlamentar dhe pa auditim të pavarur, që merr toka, porte dhe ndërtesa publike për t’i dhënë me marrëveshje të drejtpërdrejta investitorëve të zgjedhur nga qeveria, pa garë dhe pa transparencë.

Postimi i plotë:

Pak ditë më parë, shqiptarët mësuan se Pallati i Sportit “Asllan Rusi” do të shembet për t’i lënë vend një godine të re.
Një projekt që në pamje të parë duket “europian”, por pas fasadës së arkitektit fshihet një histori që shqiptarët e njohin mirë: Korporata e Investimeve Shqiptare – një tjetër marifet socialist për të abuzuar me pronat publike.

Një tjetër formë kapjeje të shtetit, mungese transparence dhe pasurimi të një pakice në kurriz të shumicës.

Korporata e Investimeve Shqiptare, në vend që të jetë ura që lidh shtetin me zhvillimin, është kthyer në portën e pasme të pushtetit drejt pasurisë publike.

Dhe nëse dikush përpiqet t’ju bindë se KIS është “po aq europiane” sa fasada e garave që organizon qeveria, dijeni se po ju manipulojnë.

Që prej vitit 2019, e kam denoncuar vazhdimisht në Kuvend: KIS është një strukturë e madhe pa kontroll parlamentar, pa kontroll gjyqësor, pa auditim të pavarur. Një strukturë që merr toka, porte, kampuse universitare e ndërtesa publike, dhe i jep me marrëveshje të drejtpërdrejtainvestitorëve që zgjedh vetë qeveria. Pa garë. Pa transparencë. Vetëm me një “livestream” propagandistik.

Në Bashkimin Europian, një korporatë si kjo do të ishte e paligjshme.

Asnjë qeveri në një vend anëtar nuk mund të menaxhojë prona publike pa respektuar rregullat e ndihmës shtetërore, transparencës dhe konkurrencës së ndershme.

Edhe fondet sovrane që ekzistojnë në disa vende të BE-së, si Bpifrance në Francë apo Cassa Depositi e Prestiti në Itali, nuk veprojnë kurrë jashtë këtyre rregullave. Ato janë të lidhura ngushtë me politikat industriale dhe zhvillimore të shtetit, por nuk kanë asnjë të drejtë të zhvendosin apo përdorin prona publike pa tender publik dhe pa kontroll parlamentar.

Nëse një qeveri e një vendi anëtar do të përpiqej të krijonte një strukturë që vepron si Korporata e Investimeve Shqiptare, që bën marrëveshje të drejtpërdrejta me investitorë të zgjedhur politikisht, pa konkurrencë dhe pa transparencë, Komisioni Europian do të hapte menjëherë një hetim për ndihmë shtetërore të paligjshme dhe shkelje të parimeve themelore të tregut të përbashkët.

Kjo është arsyeja pse modeli i Korporatës së Investimeve Shqiptare nuk është europian. Është, përkundrazi, një model që dëmton konkurrencën, deformon tregun dhe minon besimin te shteti.

Postime të lidhura