Aplikacion
Kombëtarja shqiptare është gati për “finalen” e madhe kundër Serbisë, një përballje që mund të vendosë fatin e kuqezinjve në rrugën drejt “Play Off”-it të Botërorit 2026.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Sylvinho u shfaq i vendosur dhe i qetë, duke theksuar se Shqipëria do të luajë vetëm për fitore.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, por kjo është më e rëndësishmja. Fituam me Letoninë dhe tani kjo ka sens. Nëse fitojmë, ajo me Andorrën do të jetë edhe më vendimtare. E rëndësishme është që skuadra të futet në fushë me shpirt e me zemër”, tha trajneri brazilian.
Sylvinho tregoi se skuadra ka zhvilluar një fazë përgatitore shumë të mirë në Tiranë dhe se lojtarët janë fizikisht dhe psikologjikisht gati për sfidën.
“Në tre ditët e fundit kemi bërë stërvitje me intensitet të lartë. Tani duhet të zgjedhim 11-shen më të përshtatshme për ndeshjen. Nuk më mungon goli nga sulmuesit, sepse ai është pjesa e fundit e procesit. Kam besim tek ata”, shtoi ai.
Trajneri i kuqezinjve foli edhe për analizën e kundërshtarit, duke kujtuar eksperiencën e tij si ndihmës trajner i Brazilit në Botërorin 2018, kur u përballën me Serbinë.
“Edhe atëherë Serbia ishte ekip i fortë, me cilësi teknike dhe fizike. Edhe sot është po ashtu. Por edhe ne kemi lojtarë që dinë të japin gjithçka për fanellën kuqezi”, deklaroi Sylvinho.
Në lidhje me të ardhmen e tij, braziliani u tregua i qartë.
“Për të ardhmen time mendoj unë. Jam shumë i lumtur me punën që po bëjmë këtu. Ne nuk jemi të përhershëm, as trajnerët, as lojtarët. E rëndësishme është të japim maksimumin në çdo ndeshje”, theksoi ai.
Tekniku i kuqezinjve konfirmoi se grupi është i bashkuar dhe se fryma brenda ekipit është pozitive./ Zoom.al