zoom

Aktualitet

Sulmi me tritol në Shkodër, shënjestër dyshohet djali i punonjëses së Doganës. Dëshmitë dhe pamjet

Policia zbulon detaje të reja nga sulmi me tritol një ditë më parë, në banesën e shtetases Frida Sala dhe djalit të saj Dori Sala.

Burime pranë Prokurorisë së Shkodrës bënë me dije se një prej pistave kryesore ku është përqendruar organi i akuzës dhe policia vendore, lidhet me aktivitetin e djalit të 62-vjeçares, që besohet se ishte shënjestra e sulmit paralajmërues.

Policia ka dyshime se kjo ngjarje që tronditi lagjen “Tom Kola” në orët e para të mëngjesit të 25 marsit, ka të bëjë me përfshirjen e shtetasit Dori Sala në një kompani bastesh online. Lufta mes grupeve kriminale për dominimin e basteve online dyshohet se ka sjellë edhe vendosjen e tritolit në banesën e këtij shtetasi.

Prokuroria dhe policia dyshojnë se Dori Sala është menaxheri i serverave të internetit të kompanisë së basteve. Pavarësisht kësaj piste hetimi personi në fjalë të cilit iu vendos tritol në derën e shtëpisë e ka mohuar një fakt të tillë, duke thënë se puna e vetme është ajo në një kompani internet. Po ashtu shtetasi Dori Sala ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët.

“E vetmja punë që bëj është ajo në një kompani internet dhe nuk kam lidhje me asgjë tjetër. Nuk e di se kush mund të jenë autorët pasi nuk kam asnjë konflikt dhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarje”, ka deklaruar shtetasi, banesat e të cilit u sulmua me eksploziv.

Ngjarja ndodhi rreth orës 3:40 të një dite më parë, kur tritoli shpërtheu në derën e shtëpisë të familjes Sala. Kjo sasi tritoli shkaktoi vetëm dëme materiale ndërkohë që në banesë ndodhej e gjithë familja, shtetasja Frida Sala, bashkë me djalin Dori Sala dhe gruan e fëmijët e këtij të fundit. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për vendosjen e sasisë së tritolit.

Efektivët kanë arritur që të sigurojnë pamjet e momentit të autorit të dyshuar i cili vjen me një motorr me skafandë në kokë dhe pasi hedh lëndën eksplozive në banesën e familjes Sala largohet me shpejtësi.

Nga kamerat policia nuk ka arritur që ta identifikohë autorin deri më tani për shkak të skafandës që mbante në kokë. 62-vjeçarja Frida Sala, e cila punon në doganën e Hanit të Hotit, tek peshorja e mallrave në doganë, ka deklaruar se as ajo nuk ka konflikte me askend ndërsa për prokurorinë puna në doganë nuk qëndron si pistë hetimi, sepse për pak muaj kjo shtetase del në pension.

Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të shpërthimit me tritol. /ZOOM.AL/