zoom

Aktualitet

Sulmet kibernetike në Shqipëri, SHBA përfundon operacionin e parë mbrojtës

Pas një sulmi kibernetik madhor ndaj Shqipërisë në vitin 2022, një ekip operatorësh kibernetikë nga Forca Kombëtare e Misionit Kibernetik të SHBA (CNMF) përfunduan së fundmi operacionin e tyre të parë të mbrojtjes kibernetike atje, duke u rikthyer me një partneritet të përforcuar me Shqipërinë dhe njohuri unike mbi aktivitete kibernetike keqdashëse.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur se Komanda Kibernetike e SHBA (CNMF) vendosi një ekip Hunt Forward, me ftesë të vendit partner, për të kryer aktivitete të mbrojtjes së rrjetit përkrah Shqipërisë për të identifikuar, monitoruar dhe analizuar taktikat, teknikat dhe procedurat armiqësore.

Operacionet Hunt Forward janë misione mbrojtëse që u lejojnë vendeve të kuptojnë më mirë kërcënimet e përbashkëta dhe të rrisin sigurinë e rrjeteve kritike nga të cilat varen SHBA, aleatët dhe partnerët.

“Ne presim me kënaqësi rritjen e bashkëpunimit me AKSHI-n për të krijuar një ekosistem rezistent dhe një zonë të gjelbër në infrastrukturat tona publike”, tha Igli Tafa, drejtor i përgjithshëm dhe Koordinator Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) të Shqipërisë, përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjit dhe politikave për sigurinë kibernetike dhe shërbime të besuara.

Në korrik 2022, aktorë kibernetikë iranianë nisën një sulm kibernetik kundër qeverisë së Shqipërisë. Sipas Agjencisë së SHBA për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturën CISA, të njëjtët aktorë iranianë përdorën taktika, teknika dhe procedura të ngjashme në një valë tjetër sulmesh kibernetike kundër qeverisë së Shqipërisë në shtator 2022. Pas sulmeve kibernetike, SHBA dënoi me forcë sulmin kibernetik të Iranit kundër aleatit të saj në NATO dhe ripohoi mbështetjen për përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar sigurinë e saj kibernetike.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të siguruar të ardhmen e saj digjitale dhe për të garantuar që lidhshmëria është një forcë për novacion, produktivitet dhe fuqizim”, tha Nathaniel Fick, Ambasador i Posaçëm i SHBA për Hapësirën Kibernetike dhe Politikën Digjitale. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e rehabilitimit të aleatit tonë në NATO, Shqipërisë, dhe ftojmë partnerët që të bashkohen me ne së bashku me aleatët tanë të NATO-s për të bërë Iranin të mbajë përgjegjësi për sulmet e tij shkatërruese kibernetike kundër Shqipërisë në korrik dhe shtator 2022.”

Gjatë qëndrimit tremujor, operatorët kibernetikë të CNMF punuan ngushtë me partnerët kibernetikë shqiptarë, duke kërkuar për aktivitete keqdashëse kibernetike dhe duke identifikuar dobësitë në rrjetet e zgjedhura nga Shqipëria.

“Bashkëpunimi me Komandën Kibernetike të SHBA ishte shumë i efektshëm dhe na bëri të ndihemi të sigurt duke u siguruar se kemi ndjekur të gjithë hapat e duhur për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve të sofistikuara”, tha Mirlinda Karçanaj, drejtore e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni i qeverisë shqiptare që bashkërendon zhvillimin dhe administrimin e sistemeve shtetërore të informacionit.

“Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen në mënyrë që të shkëmbejmë më tej përvojat dhe të rrisim kapacitetet tona në një nivel tjetër”, shtoi ajo.

Operatorët kibernetikë të SHBA-së ndanë me qeverinë e Shqipërisë gjetje teknike nga gjuetia e tyre në rrjet, duke i mundësuar partnerit të ndërmarrë hapa drejt forcimit të mbrojtjes së rrjetit të tij. Këto njohuri kanë qenë të paçmueshme në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga agresioni i jashtëm dhe sjellja keqdashëse kibernetike në hapësirën kibernetike.

Operacionet Hunt Forward kryhen në bashkëpunim me kombin partner dhe me operatorë kibernetikë elitë ushtarakë dhe federalë civilë nga CYBERCOM. Gjatë operacionit, operatorët amerikanë ulen krah për krah me homologët e vendit pritës, duke gjuajtur vetëm në ato rrjete që partneri ka identifikuar dhe ku ka ofruar qasje.

“Partneritetet që ndërtojmë do të mundësojnë mbrojtje më të mirë kibernetike në të ardhmen – ato forcojnë aftësinë tonë për të mbrojtur kombet tona,” tha gjeneralmajori i ushtrisë së SHBA, William J. Hartman, komandant i Forcave Kombëtare të Misionit Kibernetik. “Këto gjueti na sjellin më afër aktivitetit të kundërshtaritpër ta kuptuar më mirë dhe më pas për të mbrojtur veten, por ato gjithashtu i sjellin SHBA më afër partnerëve dhe aleatëve tanë. Këto marrëdhënie janë thelbësore për mbrojtjen e rrjeteve dhe infrastrukturëssonë kritike kundër kërcënimeve të përbashkëta.”

Kur gjuajnë në rrjetet partnere, operatorët kibernetikë shqiptarë dhe amerikanë mund të vëzhgojnë taktikat, teknikat dhe procedurat e aktorëve kibernetikë keqdashës në kohë reale. Me lejen e vendit, ekipi i SHBA më pas mund t’i sjellë ato njohuri përsëri në SHBA për t’i ndarë në sektorin privat dhe publik, duke forcuar mbrojtjen para se kundërshtarët të mund të shënjestrojnë rrjetet e SHBA.

Ndërkohë që janë kritike për të forcuar sigurinë kibernetike të SHBA, Operacionet Hunt Forward gjithashtu zhvillojnë dhe ndërtojnë marrëdhënie strategjike me aleatët dhe partnerët kryesorë. Këto aktivitete përforcojnë situatën e aleatëve dhe partnerëve ndaj sigurisë kibernetike, gjë që e bën më të vështirë për kundërshtarët e huaj të operojnë në rrjete globalisht.

“Në një mjedis gjithnjë e më dinamik ku aktorët kibernetikë keqdashës përpiqen të shfrytëzojnë rrjetet, të dhënat dhe infrastrukturën tonë kritike, ne kemi një avantazh asimetrik kyç që kundërshtarët tanë nuk e kanë: partneritete të qëndrueshme si ky me Shqipërinë,” tha Hartman.

“Kur ftohemi të gjurmojmë në rrjetet e një kombi partner, ne jemi në gjendje të gjejmë aktivitetin tinëzar të një kundërshtari në hapësirën kibernetike dhe ta ndajmë me partnerin tonë për të ndërmarrë veprime mbi to. Më pas, ne mund t’u imponojmë kosto kundërshtarëve tanë duke ekspozuar mjetet, taktikat dhe procedurat e tyre dhe të përmirësojmë situatën e sigurisë kibernetike të partnerëve dhe aleatëve tanë. Kur ndajmë të dhëna, jemi të gjithë më të mbrojtur nga ata që synojnë të na dëmtojnë”, shtoi ai.

Në sigurinë kibernetike, ‘gjuetia’ është një aktivitet proaktiv i mbrojtjes kibernetike, për të vëzhguar dhe zbutur kërcënimet që nuk pikasen në një rrjet ose sistem. Ndërkohë që ekipet HFO nuk zbutin kërcënimet në rrjetet partnere, ato u mundësojnë homologëve të tyre të ndjekin dhe trajtojnë kërcënimet e gjetura.

CNMF është vendosur 42 herë në 22 vende dhe ka kryer operacione gjuetie në mbi 65 rrjete në mbarë botën. Përveç Shqipërisë, ekipet janë vendosur në Ukrainë, Estoni, Lituani, Kroaci dhe vende të tjera që nga viti 2018.

Më 19 dhjetor 2022, CNMF u ngrit në nivelin e një komande të unifikuar varësie, duke theksuar evolucionin e një force kibernetike të vazhdueshme, profesionale sot dhe në të ardhmen. Që nga fillimi i tij në 2014-ën, CNMF e CYBERCOM është zhvilluar me shpejtësi për të përmbushur nevojat e kombit amerikan dhe ka marrë pjesë ose i është përgjigjur pothuajse çdo krize kombëtare me të cilën është përballur SHBA./ Zoom.al