zoom

Lajme

Studentët shqiptarë mbushin rrugët e Shkupit, kërkojnë provim në gjuhën shqipe. Arrestohen 3 protestues

Studentët shqiptarë mbushin rrugët e Shkupit, kërkojnë provim në gjuhën shqipe. Arrestohen 3 protestues

Qindra studentë shqiptarë u mblodhën në Shkup për të protestuar kundër kufizimeve që, sipas tyre, po i bëhen përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Tubimi, i organizuar nën moton “Gjuha shqipe nuk negociohet”, u shndërrua në një nga mobilizimet më të mëdha studentore shqiptare në vend gjatë viteve të fundit.

Protestuesit marshuan drejt institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të lejohet të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Studentët thanë se përdorimi i gjuhës amtare në administratë dhe në proceset profesionale është një e drejtë themelore dhe jo çështje politike.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si “Gjuha shqipe amanet”, “O sa mirë me qenë shqiptarë” dhe “Shqipja është identitet”. Në mesin e turmës mbizotëronin flamujt kuqezi, ndërsa shumë pjesëmarrës kënduan edhe Himnin Kombëtar shqiptar.

Tensionet u rritën gjatë marshimit, ku sipas raportimeve mediatike, policia maqedonase arrestoi tre studentë shqiptarë. Ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht arsyet e ndalimit të tyre, ndërsa protestuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve.

Protesta erdhi vetëm pak orë pasi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, deklaroi publikisht se çështja e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në shqip konsiderohet “e mbyllur”, duke theksuar se “nuk do të ketë provim në gjuhën shqipe”. Kjo deklaratë shkaktoi reagime të forta tek studentët dhe organizatorët e protestës.

Në tubim pati edhe thirrje politike kundër kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për të cilin protestuesit kërkuan dorëheqje, duke e akuzuar qeverinë për qëndrim diskriminues ndaj shqiptarëve.

Organizatorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet shtetërore./ Zoom.al

Postime të lidhura