zoom

Lajme

Nis protesta në Shkup, studentët shqiptarë marshojnë për gjuhën shqipe

Nis protesta në Shkup, studentët shqiptarë marshojnë për gjuhën shqipe

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur këtë pasdite protestën e paralajmëruar në Shkup, duke kërkuar zbatimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në proceset universitare.

Të mbledhur nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zë”, protestuesit kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, ku pritet të parashtrojnë kërkesat e tyre lidhur me të drejtat gjuhësore.

Një nga kërkesat kryesore të studentëve mbetet zhvillimi i provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, duke argumentuar se përdorimi i saj duhet të garantohet në mënyrë të barabartë në institucionet publike dhe arsimore.

Protestës i janë bashkuar edhe studentë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kanë udhëtuar drejt Shkupit për të shprehur mbështetje ndaj kërkesave të bashkëmoshatarëve të tyre në Maqedoninë e Veriut.

Organizatorët kanë theksuar se protesta synon të ngrejë zërin për respektimin e të drejtave gjuhësore dhe trajtimin e barabartë të studentëve shqiptarë në sistemin arsimor dhe administratën shtetërore./ Zoom.al

Postime të lidhura